
Kryetari i ASH-së dhe njëri nga liderët e koalicionit AKI, Arben Taravari, në hapjen e fushatës për zgjedhjet e përsëritura në Gostivar, deklaroi se kandidati i koalicionit të tyre, Valbon Limani, do të shënojë fitore të thellë ndaj kundërkandidatit Nevzat Bejta.
“Kryetar Ali Ahmeti ne e dimë ku i ka dhe si t’ia nxjerim ‘shtrafat’ atij. Unë e kam fituar dy herë këtë garë dhe e dimë si të përballemi me këtë kundërshtar. Tani Valboni do ta fitojë plotësisht dhe do ta demolojmë. Herën e fundit fitova me mbi 5.700 vota diferencë, ndërsa tani fitorja do të jetë edhe më e thellë,” deklaroi Taravari.
Duke folur për kundërkandidatin dhe për koalicionin VLEN, të cilin e quajti “LEN”, Taravari tha se ky koalicion i ngjan kandidatit që ka zgjedhur në Gostivar. Ai shtoi se Bejta, pavarsisht që ka vendosur sërish të garojë, por sipas tij, rezultati do të jetë i njëjtë si më parë.
Taravari theksoi se Nevzat Bejta duhet ta ketë të qartë se në këto zgjedhje nuk garon me të, por me kandidatin Valbon Limani. “Ai thotë se Valboni është djalë i mirë dhe këtë e dimë të gjithë. Prandaj, le ta votojë edhe ai Valbonin më 11 janar,” tha Taravari me ironi.
