Përmes një konferencë të jashtëzakonshme përpara Gjykatës Kushtetuese, BDI dënoi ashpër vendimin me të cilin ndalohet deklarimi i përkatësisë etnike gjatë punësimeve në institucione publike, pasi siç tha nënkryetari Arbër Ademi, ky vendim përbën sulm të drejtpërdrejt ndaj të drejtave të komuniteteve dhe do të ketë pasoja të rënda për funksionimin e drejtë dhe të barabartë të institucioneve. Ftoi faktorin ndërkombëtar të reagojë ndaj vendimit, ndërsa koalicionit qeverisës VLEN, i parashtroi një pyetje:

“Jo 24 orë, por 48 orë. Ju lutem dilni para opinionit, tregoni – cili do të jetë ai mekanizëm ligjor i cili ka mundësi të ndjekë përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, kur kjo Gjykatë politike dhe që zbaton programet e një qeverie monoetnike, sjell vendime të këtilla që eleminon deklarimin e përkatësisë etnike? Cili është?! Ja unë si jurist – po i sfidoj dhe po i pyes, ndoshta janë kreativ dhe mund të japin përgjigje”, tha Arbër Ademi

Kjo pyetje iu parashtrua kryetarit të ASH-së nga radhët e VLEN-it, Arben Taravari, por përgjigja e tij nuk ishte konkrete se si do të garantohet përfaqësimi i drejtë përmes Ligjin, pa një mekanizëm në formë kalkulatori, siç ishte Balancuesi, për të matur në përqindje punësimet në baza etnike.

“BDI 22 vjet ishte pushtet, nënkryetari i BDI-së duhet ta dijë, besoj që e di që 22 vjet ka qenë pushtet, pse nuk i kanë rregulluar këto punë dhe i kanë lënë kështu. I kanë kontrolluar çdo cep të shtetit dhe pushtetit. Kanë pasur pushtet absolut lokal dhe qendror. Ato duheshte veç më t’i kenë zgjidhur këto probleme, mos të na lënë ne që të merremi me këto probleme, kështu që përderisa i kanë lënë dhe nuk i kanë zgjedhur, na mbetet që ne t’i menaxhojmë këto situata krize, të cilat ato i kanë të pazgjedhura për vite me radhë”, deklaroi Arben Tarvari.

Taravari po ashtu tha se nisma për shfuqizimin e Balancuesit ekziston që para 5 viteve, por sipas tij Gjykata Kushtetuese vendosi që gjithë çështjen ta problematizojë gjatë këtyre 100 ditëve të Qeverisë së re. Shtoi se Ligji i paralajmëruar për përfaqësim të barabartë tashmë është i përgatitur, se po marrin mendime nga ekspertë ndërkombëtarë, e pastaj do të procedohet në Parlament. Sipas Taravarit, Ligji do të jetë shumë më i mirë sesa Balancuesi.