Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka reaguar lidhur me heqjen e targave të veturave të kosovave në Slloveni, pas ndeshjes së mbrëmshme futbollistike ku shënoi fitore Kosova. MPJD ka njoftuar se menjëherë pas përfundimit të ndeshjes së futbollit, ka pranuar raportime nga shtetas kosovarë për heqjen e targave të veturave të tyre.

“Menjëherë pas përfundimit të ndeshjes kemi pranuar disa thirrje telefonike nga shtetas të Republikës së Kosovës, të cilët kanë raportuar mungesën e targave të veturave të tyre”, ka njoftuar MPJD. Sipas informacioneve të mbledhura deri tani, dyshohet se disa veturave u janë hequr targat ndërsa ishin të parkuara. MPJD u ka bërë thirrje qytetarëve të prekur që të mos veprojnë pa njoftuar policinë vendase

“U kemi rekomanduar që të mos i lëvizin veturat pa njoftuar paraprakisht Policinë e Sllovenisë dhe pa marrë një raport zyrtar”.

Ministria ka theksuar se është duke ndjekur rastin dhe duke bashkëpunuar me institucionet relevante.

“Ambasada e Republikës së Kosovës në Slloveni po merret me rastin dhe po bashkërendon veprimet me autoritetet përkatëse. Ne mbetemi në komunikim të vazhdueshëm me shtetasit tanë dhe me Policinë e Sllovenisë për çdo zhvillim të ri”, ka njoftuar MPJD.

The post Targat e kosovarëve hiqen masivisht pas ndeshjes me Slloveninë – MPJD del me reagim të ashpër appeared first on Alsat.