Gjykata e Lartë i dha të premten një goditje të rrallë Donald Trumpit, duke vendosur se presidenti amerikan nuk ka kompetenca për të shpallur një gjendje të jashtëzakonshme ekonomike me qëllim vendosjen në mënyrë të njëanshme të tarifave të reja të gjera mbi importet.

Ky vendim, i marrë me një raport votash 6–3, pritet të vazhdojë të ushqejë kaosin politik dhe ekonomik rreth tregtisë ndërkombëtare gjatë gjithë vitit zgjedhor.

Trump ka paraqitur tarifat si themel të strategjisë së tij ekonomike për votuesit para zgjedhjeve afatmesme, duke i quajtur ato “fjalën e tij të preferuar” dhe duke premtuar rikthimin e fabrikave dhe vendeve të punës nga jashtë në SHBA, shkruan AP.

Trump: Gjyqtarët janë budallenj dhe vegla

Trump e përshkroi vendimin si “thellësisht zhgënjyes” dhe “qesharak”. Ai shtoi se ndihej “absolutisht i turpëruar” nga gjashtë gjyqtarët e Gjykatës së Lartë që votuan kundër tij, sepse sipas tij nuk patën guximin të bënin atë që është e drejtë për vendin.

“Ata janë thjesht budallenj dhe vegla të RINO-ve dhe demokratëve radikalë të majtë”, tha 79-vjeçari gjatë një konference për shtyp pasdite. Ai iu referua “republikanëve vetëm me emër”, duke shtuar se janë “shumë jopatriotikë dhe të pabesë ndaj Kushtetutës sonë”.

Pavarësisht vendimit, Trump premtoi se do të anashkalojë Kongresin dhe do të vendosë vetë tarifa të reja, duke u mbështetur në ligjet ekzistuese. Në një deklaratë kontradiktore, ai gjithashtu pretendoi se vendimi i Gjykatës së Lartë sjell “siguri të madhe” për ekonominë.

Pasiguri pas vendimit

Megjithatë, siguria mbetet larg të qenit e garantuar. Presidenti pranoi se disa marrëveshje tregtare të arritura së fundmi do të vazhdojnë të jenë në fuqi, ndërsa të tjera jo. Ai gjithashtu parashikoi vite të tëra betejash ligjore mbi çështjen nëse administrata e tij duhet të kthejë miliarda dollarë të ardhura nga tarifat që vendet e tjera kanë paguar tashmë.

Sipas dy personave të njohur me situatën, Trump u informua për vendimin në mëngjes gjatë një takimi privat me disa guvernatorë, pasi mori një mesazh. Një person i pranishëm zbuloi se Trump tha se duhet “të bëjë diçka lidhur me këto gjykata”. Takimi përfundoi menjëherë pas kësaj.

Të ndara reagimet në Partinë Republikane

Përdorimi agresiv i tarifave nga Trump ka shqetësuar shumë ligjvënës republikanë, të cilët janë detyruar të mbrojnë masa që, në thelb, përbëjnë një rritje taksash për qytetarët dhe bizneset amerikane.

Tregtia e lirë ka qenë për një kohë të gjatë një shtyllë qendrore e Partisë Republikane, para se Trump të vinte në pushtet.

Senatori Mitch McConnell nga Kentucky përshëndeti vendimin e Gjykatës së Lartë, duke e cilësuar pretendimin e Trump se mund ta anashkalojë Kongresin si “të paligjshëm”.

“Roli i Kongresit në politikën tregtare, siç kam paralajmëruar vazhdimisht, nuk është një bezdi që duhet shmangur”, tha ish-udhëheqësi i republikanëve në Senat.

“Nëse pushteti ekzekutiv dëshiron të hartojë politika tregtare që ndikojnë prodhuesit dhe konsumatorët amerikanë, rruga e tij është kristalisht e qartë: të bindë përfaqësuesit në përputhje me Nenin 1 të Kushtetutës”, shtoi ai.

Ish-zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence, i cili shërbeu gjatë mandatit të parë të Trumpit, e përshëndeti vendimin si një fitore për publikun, ndarjen e pushteteve dhe tregtinë e lirë.

“Familjet dhe bizneset amerikane paguajnë tarifat – jo vendet e huaja,” shkroi Pence në rrjetet sociale, duke shtuar se “me këtë vendim, familjet dhe kompanitë amerikane mund të marrin frymë më lirshëm”.

Strategu republikan Doug Heye tha se ishte menjëherë e qartë që presidenti “nuk do të ishte i kënaqur” me vendimin. Megjithatë, sipas tij, Trump do të përpiqet të gjejë një mënyrë tjetër për të realizuar agjendën e tij tregtare. “A do ta shohë këtë si një mundësi apo jo? Ka shumë pikëpyetje,” tha Heye.

Demokratët thonë se Trump nuk është mbret

Demokratët e shfrytëzuan menjëherë rastin.

Kongresistja Suzan DelBene deklaroi se Trump “nuk është mbret” dhe se tarifat e tij “kanë qenë gjithmonë të paligjshme”.

“Republikanët në Kongres mund ta kishin zgjidhur lehtësisht këtë krizë ekonomike duke mbrojtur komunitetet e tyre,” tha DelBene, kryetare e Komitetit të Fushatës së Demokratëve në Kongres.

“Por në vend të kësaj, ata zgjodhën t’i përkulen Trumpit, ndërsa familjet, bizneset e vogla dhe fermerët vuajnë nga çmimet më të larta”, shtoi ajo.

Udhëheqësi i pakicës në Senat, Chuck Schumer, dhe udhëheqësi i pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, përshëndetën vendimin e Gjykatës së Lartë mbi aftësinë e presidentit për të vendosur tarifa si një fitore.

“Vendimi i Gjykatës së Lartë që rrëzon tarifat e dëmshme të Trump është një fitore e madhe për popullin amerikan”, tha Jeffries dhe shtoi se “dhe një humbje tjetër shkatërruese për ‘mbretin e pretenduar’”.

Schumer e quajti vendimin “një fitore për portofolin e çdo konsumatori amerikan”.

“Taksa kaotike dhe e paligjshme e tarifave të Trump e bëri jetën më të shtrenjtë dhe ekonominë tonë më të paqëndrueshme. Familjet paguan më shumë. Bizneset e vogla dhe fermerët u shtrënguan. Tregjet luhaten në mënyrë të çrregullt”, tha Schumer dhe shtoi se “ne kemi thënë që nga dita e parë: një president nuk mund të injorojë Kongresin dhe të vendosë njëanshmërisht tarifa mbi amerikanët. Ky tejkalim i pushtetit dështoi”.

Tarifat si mesazh kyç

Vendimi u jep kritikëve të Trumpit mundësinë të pretendojnë se ai ka shkelur ligjin dhe, si pasojë, ka dëmshpërblyer familjet e klasës së mesme.

Megjithatë, Trump ka këmbëngulur se tarifat përbëjnë diferencën midis prosperitetit kombëtar dhe varfërisë së thellë. Këtë mesazh ai ua përcolli votuesve të enjten mbrëma në shtetin kyç Georgia.

Gjatë fjalimit në uzinën e çelikut Coosa Steel, e cila ia atribuoi konkurrueshmërinë taksave mbi importet, presidenti përdori fjalën “tarifë” 28 herë. “Pa tarifa, ky vend do të ishte tani në telashe të mëdha,” tha Trump.

Ai gjithashtu u ankua se i ishte dashur të justifikonte politikën e tij përpara Gjykatës së Lartë. “Duhet të pres këtë vendim. Kam pritur përgjithmonë, dhe ligji është i qartë: kam të drejtë ta bëj këtë si president”, tha ai.

“Kam të drejtë të vendos tarifa për qëllime të sigurisë kombëtare ndaj vendeve që na kanë plaçkitur për vite me radhë”, shtoi presidenti.

Llogaritja ekonomike nuk përputhet

Presidenti ka paraqitur vazhdimisht në mënyrë të pasaktë tarifat e tij, duke pretenduar – pavarësisht provave – se ato do të paguhen nga qeveritë e huaja dhe se të ardhurat do të jenë të mjaftueshme për të shlyer borxhin kombëtar.

Megjithatë, një studim i një prej bankave kryesore amerikane tregoi se tarifat e paguara nga kompanitë amerikane të mesme janë trefishuar gjatë vitit të kaluar.

Këto taksa shtesë kanë detyruar kompanitë, të cilat punësojnë gjithsej 48 milionë njerëz, të gjejnë mënyra për të përballuar koston e re – duke e kaluar atë te konsumatorët përmes çmimeve më të larta, duke punësuar më pak punëtorë ose duke pranuar fitime më të ulëta.

Edhe pse pritej që tarifat e Trump të sillnin 3 trilionë dollarë të ardhura gjatë dhjetë viteve, kjo shumë nuk do të mjaftonte për të mbuluar deficitin buxhetor të parashikuar.

Sipas një ankete të AP-NORC nga janari, rreth 6 në 10 amerikanë besojnë se Trump ka shkuar tepër larg me vendosjen e tarifave. Edhe më shqetësuese për presidentin, 76 për qind e të anketuarve në një sondazh të zhvilluar në prill thanë se presin që politika tarifore e Trump të rrisë çmimet e mallrave të konsumit në SHBA.

Gjykata e Lartë nuk ka marrë ende një vendim për mënyrën se si do të funksiononte një proces i mundshëm i rimbursimit të tarifave tashmë të mbledhura.

The post Tarifat, arma kryesore e Trumpit – çfarë skenari pritet tani? appeared first on Alsat.