Zëvendëskryeministri i parë Bekim Sali të hënën e kësaj jave në Click Plus tha se të enjten do të sillet një draft final që provimi i jurisprudencës të mbahet në gjuhën shqipe. Sali premtoi zgjidhje brenda javës, ndërsa shtoi se më pas do të vendoset nëse do të dërgohet në Komisionin e Venecias.
“Brenda kësaj jave unë besoj ditën e enjte do të duhet të sillet një draft final, një zgjidhje finale edhe do të vendoset se modeli i dhënë si zgjidhje a ka nevojë të shkojë në Komisionin e Venecias”, tha Sali.
Sot është e shtunë, por deri tani nuk është publikuar zyrtarisht ndonjë draft për provimin e jurisprudencës.
I pyetur nga TV21, Sali u përgjigj shkurt:
“Komisioni e ka kryer punën e tij dhe unë publikisht i kam falënderuar për punën konstruktive.
Pjesa tjetër është procedurë në relacionin Qeveri-Parlament”, tha Sali për TV21.
Për këtë pati reagim nga BDI:
“Të enjten tha: do të ketë zgjidhje përfundimtare.
Sot është e premte.
Zgjidhje nuk ka.
Dhe për herë të parë, kjo është një lajm i mirë.
Sepse çdo zgjidhje jashtë Ligjit për Gjuhët do të ishte katastrofale.
Mesa duket, nuk janë të aftë të bëjnë as zgjidhje të këqija”, tha BDI
Ndërkohë përmes një njoftimi VLEN akuzoi BDI-në, se për vite me radhë nuk ka zgjidhur problemin e studentëve shqiptarë lidhur me provimin e jurisprudencës, ndonëse, siç thonë, ka udhëhequr Ministrinë e Drejtësisë përmes kuadrove të saj.
“BDI-ja mendon se turpi mbulohet me zhurmë. Por provimi i jurisprudencës nuk zgjidhet me britma e me rrena. Zgjidhet me punë. E punën ata e kishin në dorë për vite me radhë, por nuk e bënë. Ministria e Drejtësisë kaloi prej një kuadri të BDI-së te tjetri. Pas Blerim Bexhetit, me mbi 1000 ditë ministër, erdhi Adnan Jashari. Mandat kishte, kompetenca kishte, vulë kishte. Vetëm vullnet për studentët shqiptarë nuk kishte”, tha VLEN.
Në lidhje me provimin e jurisprudencës, studentët organizuan dy herë protesta në Shkup. Ndëkorhë liderët e VLEN kanë deklaruar se tashmë ka marrëveshje dhe zgjidhje që ky provim të jepet edhe në gjuhën shqipe.
