Qytetarët do të mund të ruajnë të gjitha dokumentet personale në një aplikacion në telefonin e tyre celular. Këtë do ta mundësojë Portofoli Digjital, versioni test i të cilit do të prezantohet në Samitin Digjital të Ballkanit Perëndimor, i cili do të mbahet më 1 dhe 2 tetor në Shkup, para 800 të pranishmëve nga 20 vende. Ministri për Transformim Digjital, Stefan Andonovski, në një intervistë për MIA shpjegon se në të njëjtin aplikacion më pas do të integrohen të gjitha shërbimet që ofron shteti për qytetarët.
“Qytetarët duhet ta imagjinojnë këtë si një portofol me dokumente personale. Në vend që të mbajnë me vete patentën e drejtimit dhe kartën e identitetit si kartela, mund t’i mbajnë në telefonin e tyre mobil, dhe natyrisht të gjitha shërbimet do të jenë të disponueshme aty. Versioni test po përgatitet. Unë do ta prezantoj, dhe do të prezantojmë dy shërbime që do t’i ofrojë ky version test. Do ta ndiejmë pulsin e qytetarëve, qytetarët që do të jenë të pranishëm në Samit do të mund ta shkarkojnë dhe ta testojnë. Dhe mendoj se deri në fund të vitit do të kemi një version që për herë të parë do ta ofrojmë për të gjithë në rrjetet e hapura. Pra, mendoj se të gjithë do të mund ta shkarkojnë”, tha Stefan Andonovski – Ministër Për Transformim Digjital.
