Të rinjtë s’i besojnë rrugës drejt BE-së – korrupsioni po ua shuan shpresën

Kthimi i besimit në institucionet gjyqësore do të thoshte dhe kthim i besimit për anëtarësim në BE. Të rinjtë gjithnjë e më shumë po e humbin besimin se vendi në një kohë të afërt mund të bëhet pjesë e BE-së. Kjo sipas komunikologut Bojan Kordallov, për shkak të nivelit të lartë të korrupsionit.

“Në fakt të rinjtë janë për Bashkim Evropian mirëpo gjithnjë e më tepër e humbin shpresën se në një kohë të afërt Maqedonia do të bëhet anëtare e Unionit. Kjo është diçka për të cilën duhet të gjithë së bashku të punojmë dhe ta ndryshojmë sepse nuk bëhet fjalë vetëm si status i anëtarit por edhe për përfitimet të cilat të rinjtë do ti shfrytëzojnë përmes programeve të ndryshme Erasmus, shkëmbimeve, mundësive për punë, praktikë, studime e kështu me radhë. Fokusi kryesor është vendosur se ajo që e kërkojnë si të rinj është lufta kundër korrupsionit që po ndodhë”, tha Bojan Kordallov – Komunikolog.

Deputetja Dragana Bojkovska nga klubi për çështje rinore në Kuvend, thotë se të rinjtë në Maqedoni duhet të ndjehen të barabartë me të rinjtë nga shtetet e BE-së. Thotë se janë në komunikim me Ministrinë e Arsimit për përdorimin e inteligjencës artificiale në korniza të arsimimit.

“Si arsye se ku e shohin problemin për hyrje në Bashkimin Evropian është pikërisht kontesti bilateral me Republikën e Bullgarisë, gjithashtu lufta kundër korrupsionit e cila si të rinj shpresojmë se do të kemi progres të rëndësishëm veçanërisht kur bëhet fjalë për besim në sistemin gjyqësor. Në buxhetin për vitin 2026 kemi paraparë mbi 1 milion euro për fushatë për të nxitur të rinjtë të kthehen në Maqedoni dhe të punojnë këtu, por edhe ata që janë këtu ti mbajmë”, deklaroi Dragana Bojkovska – Deputete e VMRO-DPMNE-së.

Sipas hulumtimit të Institutit për menaxhim të mirë dhe perspektiva euro atlantike, Fondacionit “Fridrih Nauman” dhe Qendrës Evropiane për Përsosmëri, 46,5% e të rinjve nuk besojnë se Maqedonia e Veriut ndonjëherë do të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian derisa 35,8% besojnë por se kjo do të ndodhë pas shumë viteve. Nga 1000 të anketuar, 84,6% kanë theksuar korrupsionin si pengesë kryesore për anëtarësim, si dhe kontestet bilaterale dhe besimin e ulët në institucione. /Alsat.mk