Në kohën kur temperaturat kanë arritur në mbi 43 gradë celsius shumica e banorëve të Shkupit përballen me presion të ulët dhe ndërprerje të herëpashershme të ujit.

Sipas Ndërmarrjes Publike “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” edhe sot ka shpenzim të rritur dhe të pakontrolluar të ujit në bazë ditore, që çon në prishjen e stabilitetit të sistemit furnizues. Si pasojë sistemi i ujësjellësit në kryeqytet funksionon me presion tejet të ulët dhe ndërprerje në disa pjesë të Shkupit.

Ujësjellësi apelon qytetarët që të shfrytëzojnë ujin në mënyrë racionale dhe të shmanget shfrytëzimi i panevojshëm për ujitje të oborreve dhe fushave, për mbushjen e pishinave, pastrimin e makinave e të tjerë. Ndërkohë ndërmarrja e Ujësjellësit thotë se në përkeqësimin e situatës ndikojnë edhe kyçjet jolegale në sistem.

The post Temperatura mbi 43 gradë celsius, ndërsa shumica e banorëve të Shkupit përballen me presion të ulët dhe ndërprerje të herëpashershme të ujit appeared first on Alsat.