Ekipet e shpëtimit po vazhdojnë të gërmojnë në lindje të Afganistanit për të gjetur të mbijetuar, teksa numri i të vdekurve nga tërmeti i fuqishëm i një dite më parë ka kaluar 1.000. Si pasojë e tërmetit të paktën 3.000 persona janë lënduar. “Tërmeti shkaktoi rrëshqitje dheu në disa zona, duke bllokuar rrugë, por ato janë rihapur, dhe rrugët e mbetura do të rihapen për të mundësuar qasjen në zonat që ishin vështirë të arritshme”, bëjnë të ditur autoritetet. Tërmeti prej 6 ballësh goditi disa provinca, duke rrafshuar fshatra dhe duke i lënë njerëzit të ngujuar nën rrënojat e shtëpive të ndërtuara kryesisht me tulla prej balte dhe me drurë, dhe të tronditur nga fatkeqësia. Shumica e viktimave janë regjistruar në provincën Kunar, ku shumë njerëz jetojnë në lugina të pjerrëta lumenjsh, të ndara nga male të larta. Helikopterët po përdoren për evakuimin e të lënduarve drejt spitaleve, dhe agjencitë e ndihmave kanë thënë se ekipet e tyre po rrugëtojnë këmbas për të arritur zonat më të izoluara, për shkak të terrenit të ashpër dhe rrugëve të dëmtuara. /Alsat.mk
The post Tërmeti në Afganistan, ekipet e shpëtimit në kërkim të të mbijetuarve appeared first on Alsat.