Tetë persona janë privuar nga liria gjatë 24 orëve të fundit në aksione të ndryshme policore në territorin e Maqedonisë së Veriut, pasi tek ta janë gjetur lloje të ndryshme të substancave narkotike, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme.
Në Strumicë, mbrëmjen e 28 majit, policia arrestoi 23-vjeçarin N.M., tek i cili gjatë kontrollit u gjet marihuanë. Të nesërmen, me urdhër gjykate, u krye bastisje në shtëpinë e tij, ku u sekuestruan edhe dy paketime me marihuanë. Për rastin është njoftuar Prokuroria Themelore Publike e Strumicës.
Në fshatin Bogovinë, para një objekti hotelierik, policia arrestoi B.J. (38) dhe N.A. (38), të dy banorë të fshatit, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Prodhim i paautorizuar dhe lëshimi në qarkullim i drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve”.
Ndërkohë, në Prilep është arrestuar G.T. (30), pasi gjatë kontrollit policor tek ai është gjetur marihuanë.
Në Shkup, gjatë disa kontrolleve të ndara, policia arrestoi katër persona. Në rajonin e Bit Pazarit u privua nga liria A.T. (30), tek i cili u gjet një substancë e ngurtë e bardhë. Në Gazi Babë u arrestua I.G. (28), pasi posedonte marihuanë. Në Komunën Qendër u arrestua M.V. (24), tek i cili u gjet substancë pluhurore, ndërsa në Aerodrom u arrestua A.Ç. (24), shtetas i Republikës së Turqisë, pasi gjatë kontrollit iu gjet marihuanë.
Nga MPB-ja bëjnë të ditur se pas dokumentimit të plotë të rasteve, ndaj të gjithë personave do të ngrihen kallëzimet përkatëse penale./Alsat.mk.
The post Tetë persona arrestohen për posedim dhe tregti të dyshuar të drogës në disa qytete të vendit appeared first on Alsat.
