Në dhjetëditëshin e parë të muajit dhjetor, në Tetovë vërehet një atmosferë e zbehur festive. Edhe pse qytetarët tashmë katër vite nuk e kanë parë qytetin e zbukuruar për festat e fundvitit, ata shprehen se këtë vit Tetova duhet të zbukurohet. Sipas tyre, duhet të ndihet fryma e festës dhe zbukurimi i qytetit do të ishte një hap i mirë që Tetova të jetë si të gjitha qytetet e tjera.

 “Besoj se po, është festë për të gjithë qytetarët dhe shumë kohë qyteti nuk ka qenë i zbukuruar. Duhet të zbukurohet.”

“Duhet të zbukurohet, të kemi një atmosferë festive – jemi bërë zi.”

“Po, patjetër.”

“Qyteti i Tetovës duhet të zbukurohet, meqë nuk është zbukuruar këto katër vitet e fundit. Këtë vit mendoj se duhet të zbukurohet, sepse qytetarët duhet të jenë të kënaqur me pamjen e qytetit.”

Nga Komuna e Tetovës thonë se këtë vit qyteti do të zbukurohet, por se po presin oferta më të mira dhe mënyrat për të mbuluar shpenzimet financiare për zbukurimin e tij.

 “Po, qyteti do të zbukurohet për festat e fundvitit. Jemi duke mbledhur ofertat më të mira dhe duke parë mundësinë se si do të mbulohet financiarisht. Qyteti do të zbukurohet për festat e fundvitit. Besoj se nga 10 dhjetori do të nisë edhe zbukurimi”, theksoi Albi Qamili– zëvendëskryetar i Komunës së Tetovës.

Qytetarët e Tetovës, gjatë festave të fundvitit në katër vitet e fundit, janë detyruar të shkojnë në qytete të tjera për të festuar natën e ndërrimit të viteve, pasi Tetova nuk ka pasur asnjë organizim në qendër të qytetit.