Skuadra e Tiranës në volejboll për meshkuj fitoi mbrëmjen e së premtes 3-1 ndaj Partizanit në finalen e Kupës së Shqipërisë (25-22, 21-25, 25-20, 25-22), duke ngritur lart trofeun për të 10-n herë në historinë e saj.

Në finalen e luajtur në palestrën sportive në Farkë, të dyja ekipet dhuruan një lojë spektakolare, një ndeshje që zgjati dy orë e 20 minuta. Një rivalitet i plotë në të katërta setet, me bardheblutë që rrëmbejnë me meritë kupën.

Tirana fitoi 25-22 setin e parë, por në të dytin vjen kundërpërgjigjja e Partizanit, që fitoi 25-21 e barazpeshon rezultatin. Më tej, Tirana duket më e motivuar dhe e karikuar, duke fituar 25-20 e 25-22 dy setet e tjera e krejt takimin 3-1.

Një festë sportive për Tiranën, që befasoi Partizanin, që kryeson kampionatin dhe pak ditë më parë pat fituar Ligën “Gjergj Kastrioti“. Ky rezultat tregon se sfida për titullin kampion ka për të qenë e hapur dhe me rivalitet deri në fund.

The post Tirana mund Partizanin në derbi dhe fiton për të 10-n herë Kupën e Shqipërisë në volejboll për meshkuj appeared first on Telesport.