Performanca e Wojciech Szczesny në fitoren me përmbysje (5-4) kundër Benficës nuk e konfirmoi plotësisht zgjedhjen e Hansi Flick për t’i dhënë portierit polak statusin e titullarit në Champions League, duke lënë jashtë Iñaki Peña.
Përforcimi urgjent i bërë në fillim të tetorit për shkak të dëmtimit të rëndë të Marc ter Stegen e filloi shumë dobët në “Da Luz”, me një gabim të madh në aksionin e golit 2-1, kur u përplas me Alejandro Balde, por përfundoi duke qenë vendimtar në mënyrë pozitive me pritjen e tij ndaj Ángel Di María, i cili kishte mundësinë për të shënuar golin 5-4, por e shpërdoroi atë.
Të dielën (ora 21:00) fokusi do të jetë sërish në portë, me vëmendjen e përqendruar paraprakisht në konferencën për shtyp që Flick do të mbajë përpara ndeshjes Barça-Valencia në La Liga.
Trajneri gjerman nuk i fshehu gabimet e Szczesny, por më pas e lavdëroi atë: “Bëri disa gabime në pjesën e parë, ashtu si të gjithë. Nuk flas në këto situata për performanca individuale. Më pas bëri pritje të rëndësishme në rastet e Benfica”.
Menjëherë pas kësaj, Flick e la sërish të hapur debatin për La Liga-n, ku Iñaki Peña mbeti në portë javën e kaluar ndaj Getafe, pas pezullimit të Szczesny në Kupë ndaj Betisit.
“Iñaki ka bërë mirë. Nuk kam asgjë kundër tij, ajo që kam bërë është një vendim për ekipin. Do të shohim çfarë do të ndodhë të dielën”, – tha Flick.
Vendimet e tij të menjëhershme kundër Valencias dhe Atalantës do të tregojnë nëse do të ndjekë një model të përcaktuar për La Liga-n dhe Champions-in.
Szczesny nuk u duk veçanërisht i prekur nga gabimi në golin 2-1 të Benfica: “Ishte një keqkuptim, por mund të ndodhë, sepse të dy shkuam drejt topit. I fola se po dilja unë te topi, por Balde nuk më dëgjoi. Ishte pak komike, por fatmirësisht përfunduam duke fituar”.
Szczesny gjithashtu foli mbi përpjekjen për të kuptuar atë që Flick kërkon prej tij, përtej pritjeve në portë: “Asnjëherë nuk kam luajtur me një vijë mbrojtjeje kaq të avancuar. Wenger kërkonte shumë nga portieri, por këtu lojtarët janë shumë larg meje. Edhe 34 vjeç, ende mund të mësosh. Është një përvojë e shkëlqyer”.
The post Titullari i portës blaugrana, çfarë “patateje e nxehtë” në duart e Hansi Flick appeared first on Telesport.
