“Po, na ikën edhe dy pikë të rëndësishme. Është një moment i çuditshëm, një moment i vështirë, sepse nuk po arrijmë të fitojmë”. Jan Oblak, portieri i Atletico Madridit, nuk e fshehu zhgënjimin e tij pas ndeshjes së djeshme, në një intervistë për “MARCA”, pas barazimit 1-1 kundër Espanyolit, në javën e 29-të të La Liga-s.
Në fund të fundit, në lojë është titulli kampion, ndaj me vetëm një pikë të marrë dje kundër katalanasve, ekipi i Simeones duhet të shpresojë në rezultatet e Real Madridit, që është i dyti, dhe të Barcelonës, që kryeson kampionatin.
Me tri pikë më pak se Ancelotti dhe ekipi i tij, dhe 6 pikë larg kreut, ku ndodhen blaugranat, a duhet t’i thuhet lamtumirë ëndrrës për titull? Oblak përgjigjet: “Nuk duhet të mendojmë për këtë. Nuk po kemi rregullsinë e nevojshme për të luftuar për titullin e La Liga-s. Po humbasim pikë dhe ekipet që na ndjekin po afrohen”.
Në fund, ai foli edhe për gjysmëfinalen e kthimit të Kupës së Mbretit kundër Barcelonës: “Kupa është një mundësi për të fituar trofe. Duhet të bashkohemi dhe të përpiqemi të luftojmë për të arritur në finale”.
The post Tjetër ndalesë, Oblak dorëzohet për titullin e La Liga-s: Nuk po arrijmë të fitojmë, ekipet që na ndjekin po afrohen… appeared first on Telesport.
