“Maqedonia duhet ta mposhtë korrupsionin sistematik,” tha ministri i brendshëm, Pançe Toshkovski, duke komentuar hetimin për tragjedinë e Koçanit. Ai tha se është i vendosur në betejën për të çrrënjosur korrupsionin dhe për të kthyer besimin në institucione. Toshkovski shtoi se hetimi është i paanshëm, sapo ka filluar dhe pritet që të përfshihen edhe persona të tjerë. Sipas tij, nuk do të ketë ndarje dhe të gjithë do të mbajnë përgjegjësi, prandaj opinioni nuk ka nevojë për t’u shqetësuar. Ministri është pyetur nëse drejtori aktual i Inspektoratit të Tregut ka vepruar në diskotekë, pasi që paraardhësi i tij në detyrë dyshohet se nuk ka vepruar dhe nuk ka kryer inspektime.
“Është mirë që opinioni është vigjilent, është mirë që opinioni bën pyetje, ju inkurajoj që të vazhdoni në të njëjtin drejtim, por institucionet duhet të bëjnë punën e tyre me themel, ligjërisht dhe profesionalisht. Në momentin që do të konstatojmë të gjitha faktet e nevojshme me ngjarjen penale-juridike në fjalë, do të veprojmë në lidhje me të gjithë ata që kanë ndonjë lidhje, direkte apo indirekte”, tha Pançe Toshkovski – ministër i Punëve të Brendshme.
