10 vite pas largimit nga futbolli i luajtur, Francesco Totti rikthen kujtimet e jetës së tij brenda dhe jashtë fushës. Ai e bën këtë në faqet e autobiografisë së vet të re, “Oltre”, prezantuar në teatrin “Brancaccio”. Është një rrëfim intim dhe dramatik, që përshkon momentet më të errëta të jetës së ish-kapitenit të Romës; nga humbja e babait të tij të dashur, Enzo, te depresioni pas tërheqjes nga futbolli, deri te tmerri se mund të mos i mbijetonte COVID-19 në vjeshtën e vitit 2020.
Periudha më dramatike e jetës së Tottit përkon me vjeshtën e vitit 2020, në kulmin e pandemisë. Më 12 tetor të atij viti, babai i tij, Enzo, ndërroi jetë në moshën 76-vjeçare. “Babai im ishte numri një për mua dhe, fatkeqësisht, edhe një numër më shumë në bilancin e viktimave”, – kujton me emocion ish-numri 10 i Romës.
Pak ditë pas kësaj humbjeje do të sëmurej edhe Francesco. Temperatura i shkoi në 39 gradë, iu shfaqën dhimbjet, kolla e vazhdueshme dhe një vështirësi e rëndë në frymëmarrje. “Nuk arrija të ngrihesha nga shtrati. Ilaçe, injeksione, përzierje të ndryshme; asgjë nuk bënte efekt. Kisha një frikë të tmerrshme se do të vdisja si babai”, – rrëfen ai.
I kapluar nga paniku, Totti arriti deri aty sa të telefononte fëmijët për t’iu dhënë lamtumirën: “Nuk e di nëse do t’ia dal. Më besoni, nuk e di edhe sa do të mund të rezistoj”. I dërguar në spitalin “Campus Bio-Medico” të Romës, ekzaminimet zbuluan se ai vuante nga pneumonia dypalëshe, ndërsa niveli i saturimit të oksigjenit në gjak kishte rënë në 88%.
Mjekët vendosën ta shtronin menjëherë në spital, por ish-kapiteni refuzoi dhe firmosi dokumentet për largimin: “Nuk dua të përfundoj si babai im. Nëse duhet të vdes, dua të vdes në shtëpinë time, jo i mbyllur këtu brenda, pa i parë më fëmijët e mi”.
Pastaj erdhi oferta e Berlusconit dhe këshilla e Zangrillos. Pasi u kthye në shtëpi, Totti do të izolohej në një dhomë të monitoruar me kamera dhe kaloi net jashtëzakonisht të vështira. Në ato orë dramatike i mbërriti një telefonatë e papritur. Pier Silvio Berlusconi, nëpërmjet Silvia Toffanin, mikeshës së Ilary Blasit, i vuri në dispozicion një avion privat për ta transportuar në Milano dhe për t’ia besuar kujdesit të Alberto Zangrillos, drejtuesit të shërbimit mjekësor në spitalin “San Raffaele”.
Përgjigjja e Tottit, me ironinë karakteristike romane, nuk vonoi: “Po çfarë thua, a je çmendur? Nuk pranoj të shtrohem në spital në Romën time dhe të vij e të vdes në Milano?!”
Në atë moment, vetë Zangrillo filloi ta udhëzonte nga distanca. Mjeku e pyeti në çfarë pozicioni flinte dhe, pasi mësoi se Totti zakonisht fle anash, i sugjeroi të shtrihej barkas në shtrat, me kraharorin mbështetur mbi dyshek dhe krahët të hapur.
“Si Jezu Krishti në kryq?”, – e pyeti ish-futbollisti. Zangrillo i shpjegoi se kjo është masa e fundit që mund të provonte përpara se të bëhej i domosdoshëm shtrimi i detyruar në spital.

Metoda funksionoi; frymëmarrja iu përmirësua, temperatura ra dhe saturimi i oksigjenit u ngrit në 99%. “U ndjeva sikur linda përsëri. Zangrillo nuk gaboi në asnjë moment”, – pranon Totti, i cili megjithatë zbulon se pasojat e asaj sëmundjeje i ndien ende sot dhe nuk arrin të marrë frymë si më parë.
Përveç sëmundjes, autobiografia trajton edhe rrugëtimin e dhimbshëm të përshtatjes me jetën pas tërheqjes nga futbolli në vitin 2017: “Pati një moment kur rrezikova të bija në depresion. Nuk arrija të gjeja më kuptimin e gjërave. Ne futbollistët jemi mësuar me një rutinë dhe, papritur, përballesh me boshllëkun. Ndihesha i vetëm në mes të oqeanit, më mungonte toka nën këmbë”.
Dhimbja për përfundimin e karrierës u bashkua më pas me humbjen e të atit, duke e shndërruar atë boshllëk në një humnerë të vërtetë. Totti zbulon gjithashtu se, pas largimit nga Roma, u kontaktua nga Como dhe Genoa për t’u rikthyer në fushë: “Sinqerisht, e mendova. Zemra dhe mendja më thoshin gjëra të ndryshme, por ndoqa zemrën. Gjatë gjithë jetës kam pasur vetëm një fanellë dhe kështu duhej të mbetej”.
Dashuria për ngjyrat verdhekuqe mbetet e pathyeshme, ndërsa ai nuk e përjashton një rikthim në të ardhmen: “Roma ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë gjithçka për mua. Është lëkura ime e dytë, ndoshta edhe e para. Të kthehem? Kurrë mos thuaj kurrë.
Në kohën e Pallotta, hoqa dorë nga 3 vite e gjysmë kontratë, sepse nuk doja të isha thjesht një figurë dekorative. Më dukej e natyrshme që dikush si unë të përfshihej në sektorin teknik. Ndoshta mund të kuptoj më shumë se njerëzit që janë ekonomistë, avokatë apo mjekë. Nëse secili do të bënte punën e vet, do të ishte më mirë për të gjithë.
Kur isha drejtues te Roma më telefononin vetëm kur kishte probleme, për të rregulluar gjërat. Unë ndihesha pjesë e klubit dhe doja të isha pjesë e projektit, jo thjesht një imazh. Edhe tani nuk dua të jem i tillë.

Më kanë kontaktuar për 100-vjetorin e klubit, por gjithmonë duke më kufizuar në një rol formal. Dashuria ime për Romën nuk do të përfundojë kurrë. Kam respektin më të madh për ta, nuk kam kërkuar asgjë dhe nuk do të kërkoj kurrë.
Nëse kanë nevojë për njohuritë e mia për futbollin, jam këtu. Gjithsesi, do ta festoj 100-vjetorin me njerëzit e Romës, me tifozët romanistë. Në fund të fundit, besoj se kam shkruar të paktën një të katërtën e historisë së këtij shekulli”.
Marrëdhënia me Spallettin: “Bashkë kemi bërë vetëm një reklamë. U argëtuam. Unë dhe ai kishim një marrëdhënie të shkëlqyer, që shkonte përtej futbollit. Në vitin e fundit pati probleme, përplasje të hidhura që, sipas meje, vinin nga lart, nga drejtuesit e klubit. Dikush e bindi se unë kisha komplotuar për ta larguar, por e vërteta është e kundërta. Ai më aktivizonte edhe kur kisha vetëm njërën këmbë në gjendje të mirë. Ndihesha shumë mirë me të.
Gjatë 25 viteve të karrierës sime nuk kam kërkuar kurrë privilegje. Gjithmonë kam shpresuar që klubi të blinte futbollistë të mëdhenj për të fituar trofe dhe nuk kam punuar kurrë kundër asnjë trajneri. Besoj se e kam dëshmuar se, për mua, interesi i Romës, i skuadrës dhe i tifozëve ka qenë gjithmonë mbi gjithçka tjetër”.
The post Totti dhe Covid-19: Refuzova shtrimin në spital. E pashë vdekjen me sy, iu dhashë lamtumirën fëmijëve të mi appeared first on Telesport.
