Një aksident i rëndë ka ndodhur në një kantier ndërtimi në zonën e Vjenë, përkatësisht në lagjen Alsergrund, ku si pasojë kanë humbur jetën katër punëtorë nga Kosova.
Sipas raportimeve fillestare nga mediat austriake, aksidenti ka ndodhur gjatë punimeve të betonit, kur është shembur një pjesë e skeles, duke bërë që disa punëtorë të bien në oborrin e një ndërtese të vjetër.
Si pasojë e rënies së fuqishme, katër persona kanë humbur jetën, ndërsa bëhet e ditur se të gjithë janë shqiptarë nga Kosova.
Njëri nga viktimat është identifikuar si Pajtim Bajrami, ndërsa lajmi për vdekjen e tij është konfirmuar edhe nga familjarët.
“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për humbjen e jetës së djalit të axhës, i cili tragjikisht humbi jetën në vendin e punës, në Vjenë të Austrisë, bashkë me tre shokët e tij nga Kosova”, thuhet në njoftimin e familjes.
Autoritetet pritet të dalin me më shumë detaje lidhur me shkaqet e aksidentit, ndërsa hetimet për rastin janë në vijim.
