Lajm tragjik nga futbolli shqiptar! Alban Bushi, trajneri i U-21 te Shqiperise dhe legjende e ngjyrave kuqezi, ka humbur te dy prinderit e tij ne nje aksident automobilistik ne Greqi.

Sipas burimeve të Top Channel, ngjarja ka ndodhur në rrugën “Egnatia”, në aksin Veria-Selanik, pranë Kouloura Imathias. Fugoni me targa PMX-8942 i drejtuar nga 47-vjeçari grek Marios Simitliotis është përplasur me automjetin tip “Mercedes-Benz” me targa shqiptare AB 454 GF që drejtohej nga 75-vjeçari shqiptar Ali Bushi.

Si pasojë e përplasjes kanë humbur jetën 75-vjeçari Ali Bushi dhe pasagjerja 71-vjeçare Bukurije Bushi. I plagosur lehtë ka mbetur edhe shtetasi grek, i cili është arrestuar nga policia. Mësohet se dy viktimat janë prindërit e Alban Bushit, ish futbollistit të Kombëtares Shqiptare të Futbollit, aktualisht trajner i Kombëtares U-21.

Alban Bushi është ish-sulmuesi i Kombëtares shqiptare, i cili ka shënuar 14 gola me skuadrën kuqezi. Ai tashmë është trajneri i Kombëtares U-21 që nga viti 2016, i cili i ka drejtuar Shpresat në 58 takime.

Njoftimi nga FSHF – Me keqardhje të thellë, Federata Shqiptare e Futbollit, mësoi sot lajmin për ndarjen nga jeta në mënyrë tragjike të prindërve të trajnerit të Kombëtares U-21, Alban Bushit.

Federata Shqiptare e Futbollit i përcjell ngushëllimet më të sinqerta trajnerit Bushi dhe të afërmve të tij për këtë fatkeqësi të madhe.

Edhe Presidenti Duka i ka dërguar një mesazh ngushëllimit Alban Bushi, teksa shprehet se i gjithë komuniteti i futbolli i gjendet pranë atij në këto momente të vështira.

“Sapo mësova lajmin e dhimbshëm për ndarjen tragjike dhe të parakohshme nga jeta të dy prindërve të jashtëzakonshëm, njerëzve të mirë, Ali dhe Bukurije Bushi, në një aksident në Greqi.

Në këtë moment të vështirë, mendimet e mia shkojnë tek Albani dhe të gjithë anëtarët e tjerë të familjes, që përveç trishtimit për këtë humbje të madhe, do të përballen edhe me mungesën e pamatë të dashurisë prindërore.

Në emrin tim personal dhe të Federatës Shqiptare të Futbollit, ku Albani ka kaluar shumë vite si pjesë e kësaj familjeje të madhe, shpreh ngushëllimet më të sinqerta.

Qoftë kujtimi i tyre i paharruar!”, – shkruan Presidenti Duka në mesazhin e publikuar në rrjetet sociale.

The post TRAGJIKE! Alban Bushi humbet dy prindërit nga një aksident automobilistik! appeared first on Telesport.