Përzgjedhësi i kombëtares së Austrisë, Ralf Rangnick ka folur para ndeshjes ndaj Kosovës.
Trajneri austriak ka folur për Kosovën si kundërshtare, derisa pati fjalë të mira për “Dardanët”.
Megjithatë, ai u tregua optimist për fitore, në ndeshjen e nesërme.
“Duam ta fitojmë ndeshjen e dytë në shtëpi, para tifozëve tanë në stadiumin që do të jetë plot me tifozë. Kosova është kundërshtare ndaj së cilës duhet të japim çdo gjë. Ne fokusohemi te vetja dhe duhet të paraqitemi mirë. Nëse e bëjmë këtë, kemi shanse të mira për fitore”, tha ai fillimisht.
Ai foli edhe për fitoren e Kosovës ndaj Irlandës.
“Kosova e meritoi fitoren ndaj Irlandës dhe ne po përgatitemi për një kundërshtare që synon shumë”, tha ai tutje.
Ndeshja Austri – Kosovë do të luhet nesër, e diel, në Vjenë, me fillim nga ora 18:00.
Kjo përballje i përket xhiros së dytë të Ligës së Kombeve.
Në xhiron e parë, edhe Austria edhe Kosova morën nga tri pikë.
