Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se i dërguari i tij i posaçëm, Steve Witkoff mund të udhëtojë për në Rusi më 6 ose 7 gusht –ditët e fundit të afatit të ri që ai i ka vendosur Rusisë për të ndërmarrë hapa drejt përfundimit të luftës në Ukrainë ose të përballet me sanksione. Duke folur për gazetarët Trump sërish paralajmëroi se do të vendosë sanksione nëse Moska nuk pajtohet lidhur me një armëpushim për luftën në Ukrainë deri më 8 gusht. Tarifat dytësore me gjasë do të shënjestrojnë Kinën dhe Indinë, dy blerëset më të mëdha të naftës ruse. Kievi dhe Moska kanë vazhduar sulmet e ndërsjella ajrore para se të skadojë afati i vendosur nga Trumpi. Presidenti amerikan i ka bërë presion presidentit rus, Vladimir Putin, që të pranojë një marrëveshje armëpushimi dhe t’i japë fund luftës, e cila tani ka hyrë në vitin e saj të katërt. Më 14 korrik, Trump tha se Putin kishte 50 ditë kohë për të ndalur luftën, në të kundërtën Rusia do të përballej me tarifa të ashpra që do të kishin për shënjestër naftën dhe eksportet e tjera. Më vonë, ai e shkurtoi afatin deri më 8 gusht.
“Shumë njerëz po vriten në atë luftë qesharake. Do të ketë sanksione, por e dini, ata janë dinakë dhe janë mjaft të mirë në shmangien e sanksioneve. Pra, do të shohim se çfarë do të ndodh. Por Steve Witkoff është i përqendruar tani për sa i përket Gazës për të ushqyer njerëzit atje. Dhe ai mund të shkojë mendoj javën tjetër, të mërkurën ose të enjten, në Rusi. Ata do të donin ta shihnin. Ata i kanë kërkuar që të takohet. Pra, do të shohim se çfarë ndodh”, deklaroi Donald Tramp, President i SHBA-së. /Alsat.mk
The post Tramp paralajmëron Rusinë: Sanksione nëse nuk pajtohet lidhur me një armëpushim për luftën në Ukrainë appeared first on Alsat.
