Transportues të organizuar nga asociacioni „Makam Trans“ sot nga ora 12:00 deri në 14:00 do të protestojnë para Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shkup, duke kërkuar zgjidhje për problemin me qëndrimin e kufizuar të shoferëve profesionistë në zonën Schengen.
Protesta është paralajmëruese në prag të takimit të Grupit të Punës në Bruksel, nga i cili transportuesit presin zgjidhje për statusin e tyre lidhur me rregullin 90/180, sipas të cilit shtetasit e vendeve të treta mund të qëndrojnë maksimum 90 ditë brenda një periudhe prej 180 ditësh.
Para Delegacionit të BE-së do të jenë të parkuara rreth 20 kamionë, ndërsa protesta do të shoqërohet nga pronarë të kompanive transportuese, shoferë dhe punonjës nga pjesë të ndryshme të vendit. Protesta të ngjashme do të zhvillohen edhe në Serbi, Bosnjë e Hercegovinë dhe Mal të Zi.
Nga “Makam Trans” thonë se nëse në takimin e nesërm në Bruksel nuk gjendet zgjidhje kalimtare, më 14 shtator mund të organizohen protesta në pikat kufitare të vendeve të veçanta.
Sipas asociacionit, rreth 17 mijë shoferë profesionistë nga Maqedonia e Veriut përballen me këtë problem, ndërsa në nivel të Ballkanit Perëndimor numri arrin në rreth 100 mijë.
Ministria e Transportit ndërkohë thotë se po punon për zgjidhje përmes marrëveshjeve dypalëshe me vendet e zonës Schengen. Sipas ministrit Aleksandar Nikolloski, marrëveshje tashmë ka me Zvicrën, Kroacinë dhe Rumaninë, ndërsa po punohet për marrëveshje edhe me Austrinë, Slloveninë dhe Gjermaninë.
