Një shpërthim i dyshuar i infeksionit të rrallë të hantavirusit në një anije turistike në Oqeanin Atlantik ka vrarë tre persona, përfshirë një çift të moshuar dhe ka përkeqësuar gjendjen shëndetësore të të paktën të tre personave të tjerë, ka bërë të ditur Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Departamenti i Shëndetësisë i Afrikës së Jugut.

Në një deklaratë për Associated Press, OBSH-ja tha se është duke u zhvilluar një hetim, por se të paktën një rast i hantavirusit është konfirmuar. Një nga pacientët ndodhej në kujdes intensiv në një spital në Afrikën e Jugut, ndërsa agjencia e OKB-së është duke punuar me autoritetet për të evakuuar nga anija dy të tjerë me simptoma.

Kompania holandeze që posedon anijen turistike tha se ajo ndodhej pranë brigjeve të Kepit Verde, një shtet ishullor në bregun perëndimor të Afrikës, dhe se autoritetet lokale po ndihmonin, por nuk kishin lejuar zbarkimin e askujt. Ajo shtoi se dy personat e sëmurë në bord që kërkonin kujdes urgjent mjekësor ishin anëtarë të ekuipazhit.

Infeksionet nga hantavirusi përhapen kryesisht nga brejtësit

Hantaviruset, që gjenden në mbarë botën, janë një familje virusesh që përhapen kryesisht përmes kontaktit me urinën ose jashtëqitjen e brejtëseve të infektuar. Ky virus ka tërhequr vëmendjen pasi bashkëshortja e aktorit të ndjerë Gene Hackman, Betsy Arakawa, vdiq nga një infeksion hantavirusi në New Mexico vitin e kaluar. Hackman vdiq rreth një javë më vonë në shtëpinë e tyre nga sëmundje e zemrës.

Sipas Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, hantaviruset shkaktojnë dy sindroma serioze: sindromën pulmonare të hantavirusit, një sëmundje e rëndë që prek mushkëritë, dhe ethet hemorragjike me sindromë renale, një sëmundje e rëndë që prek veshkat.

Edhe pse të rralla, OBSH-ja tha se infeksionet e hantavirusit mund të përhapen edhe mes njerëzve. Nuk ka trajtim apo kurë specifike, por kujdesi i hershëm mjekësor mund të rrisë shanset për mbijetesë.

“OBSH është në dijeni dhe po mbështet një anije turistike që lundron në Oqeanin Atlantik,” tha organizata. “Hetime të detajuara janë në vazhdim, përfshirë testime të mëtejshme laboratorike dhe hetime epidemiologjike. Kujdesi mjekësor dhe mbështetja po u ofrohen pasagjerëve dhe ekuipazhit. Sekuencimi i virusit gjithashtu është në proces.”