Treguesi i çmimeve të konsumit u rrit me 1% në mars

Të premten, Zyra Kombëtare e Statistikave e Kinës publikoi të dhënat e treguesit të çmimeve të konsumit (CPI) dhe të treguesit të çmimeve të prodhimit (PPI) për marsin e këtij viti. Muajin e kaluar, treguesi i çmimeve të konsumit ra me 0.7 % në krahasim me shkurtin, por ishte 1.0 % më shumë se në marsin e vitit të kaluar.

I ndikuar nga faktorë të tillë si rritja e shpejtë e çmimeve ndërkombëtare të mallrave dhe përmirësimi i ofertës dhe kërkesës në disa industri të brendshme, në mars treguesi i çmimeve të prodhimit u rrit me 1.0 % në krahasim me muajin pararendës dhe 0.5 % nga viti në vit.

Treguesi kombëtar i çmimeve të konsumit vazhdoi rritjen e vet të moderuar vjetore, por ritmi i rritjes u ul me 1.0 %. Midis tyre, çmimet e mallrave të konsumit industrial u rritën me 2.2 %, 1.1 pikë përqindjeje më shumë krahasuar me muajin e mëparshëm, duke kontribuuar afërsisht me 0.67 pikë përqindjeje në rritjen mbi baza vjetore të treguesit të çmimeve të konsumit. Treguesi kombëtar i çmimeve të konsumit ra me 0.7 % nga muaji në muaj, kryesisht për shkak të uljes sezonale të çmimeve të ushqimit dhe shërbimeve.
Treguesi i çmimeve të prodhimit u rikthye në një rritje mbi baza vjetore prej 0.5 %, duke përmbysur rënien prej 0.9% muajin e kaluar dhe duke shënuar rritjen e parë pas 41 muajsh radhazi rënieje. Karakteristikat kryesore të treguesit të çmimeve të prodhimit në mars krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar janë si më poshtë: së pari, faktorët e huaj kanë ndikuar në industritë vendase përkatëse, duke çuar në rritje çmimesh ose në një ulje të ritmeve të rënies së çmimeve; së dyti, marrëdhënia ofertë-kërkesë në disa industri vendase është përmirësuar, duke çuar në rritjen e disa çmimeve.

Treguesi kombëtar i çmimeve të prodhimit pati një rritje mujore me 1.0 %, duke shënuar muajin e gjashtë radhazi të ngritjes. Ritmi i rritjes ishte 0.6 pikë përqindjeje më i lartë se muajin pararendës, duke përbërë rritjen më të madhe në 48 muaj.