Bujqësia e Maqedonisë nuk do të ketë asnjë pengesë pavarësisht bllokimit të 130 milionë eurove nga fondet evropiane, deklaroi ministri i Bujqësisë, Cvetan Tripunovski, duke folur për keqpërdorimet në programin IPARD 3 në emisionin Click Plus në TV21. Për këtë çështje Prokuroria Publike po zhvillon procedurë, ndërsa procesin e kontrollit se çfarë ka ndodhur e udhëheq vetë shteti, theksoi ai. Tripunovski shton se nuk është Brukseli që i ka bllokuar fondet, por Qeveria, dhe se BE-ja e ka përshëndetur këtë veprim.

“Bie poshtë teza se Evropa, përkatësisht Brukseli, na i ka bllokuar mjetet. Jo, përkundrazi, ne vetë i ndaluam të gjitha proceset për të kontrolluar se çfarë ka ndodhur brenda. Këtë kontroll që po e bëjmë dhe që e raportuam në Bruksel, përgjigjja prej tyre ishte: ‘Shkëlqyeshëm, është mirë që po reagoni shpejt ndaj këtyre dukurive të padëshiruara. Presim të na njoftoni se çfarë saktësisht ka ndodhur në kuadër të kontrollit tuaj të brendshëm’. Ky kontroll vazhdon ende”, tha Cvetan Tripunovski – ministër i Bujqësisë.

Tripunovski në emision foli edhe për keqpërdorime në bujqësi dhe tha se janë dorëzuar kallëzime penale kundër ish-zyrtarëve të ministrisë.

“Gjatë muajve të kaluar kemi dorëzuar mbi 6 kallëzime penale kundër ish-zyrtarëve të Ministrisë, të mbështetura me një sërë provash që tashmë janë para prokurorëve publikë, përkatësisht janë dërguar si kallëzime për keqpërdorim. Merrni tokë bujqësore, nuk e punoni, një pjesë ia jepni personave të tretë, ndërsa në të njëjtën kohë merrni subvencione. Dhe po flasim për një shumë prej mbi 20 milionë denarësh”, theksoi Cvetan Tripunovski – ministër i Bujqësisë.

Tripunovski shtoi gjithashtu se ka raste kur tokë bujqësore e punueshme, e dhënë me koncesion, keqpërdoret për instalimin e paneleve fotovoltaike.