Në një intervistë të gjatë për “Marca”, Fabio Capello foli ashpër për arbitrimin, duke prekur edhe çështjen “Negreira” në Spanjë dhe rikujtuar “Calciopoli” në Itali. Duke folur për dy periudhat e tij te Real Madridi (1996/97 dhe 2006/07), ku fitoi La Liga, italiani tha se pavarësisht përpjekjeve për t’i ndalur “Los Blancos”, nuk ia dolën. “Fituam kundër të gjithëve. Vlera e atyre titujve sot është edhe më e madhe”, – thekson ai.
Për “Calciopolin” sqaroi: “Juventusi nuk paguante asgjë për arbitrat. Unë fitova dy tituj me Juven, i kam dy medaljet në shtëpi, por skuadra u dërgua në Serie B”. Sipas tij, në rastin “Negreira” nuk ndodhi asgjë, ndryshe nga Italia ku u veprua për “Calciopolin”.
Për VAR-in, Capello ishte i prerë: “Arbitrat janë një mafie. Nuk duan ish-lojtarë në VAR. Ata nuk e kuptojnë lëvizjen e futbollistit”. Ai propozon që të paktën një ish-lojtar të jetë në VAR për të ndihmuar vendimmarrjen, duke kujtuar se nga 20 raste penalltish të analizuara, vetëm 6 ishin të rregullta, ndërsa 14 jo.
The post Trondit Capello: Arbitrat janë mafie, ja cili është ndryshimi midis “Negreira” dhe “Calciopoli” appeared first on Telesport.
