Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka cilësuar si të parëndësishëm vendimin e presidentit francez, Emmanuel Macron, i cili njoftoi se Franca do ta njohë shtetin e Palestinës në shtator.

“Ajo që po thotë është e parëndësishme. Ai është një njeri i mirë, më pëlqen, por deklarata e tij nuk ka asnjë peshë,” tha Trump.

Presidenti Macron njoftoi dje se Franca do të njohë shtetin e Palestinës gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork, që do të mbahet në shtator.

Ky vendim ka shkaktuar reagime të përziera, si brenda Francës ashtu edhe në mbarë botën.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, e dënoi ashpër këtë veprim, duke thënë se ai “nxit terrorizmin”.

“E dënojmë me termat më të ashpra vendimin e presidentit Macron për të njohur një shtet palestinez pranë Tel Avivit, pas masakrës së 7 tetorit. Një vendim i tillë shpërblen terrorin dhe rrezikon të krijojë një tjetër përfaqësues iranian, siç ndodhi në Gaza,” deklaroi Netanjahu.

Ndërkaq, presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmud Abas, e përshëndeti vendimin, duke e cilësuar si “një fitore për kauzën palestineze”.

“Ky vendim pasqyron angazhimin e Francës për të mbështetur popullin palestinez dhe të drejtat e tij legjitime për tokën dhe atdheun e tij,” tha Abas.