Ursula von der Leyen dhe Donald Trump do të takohen në Skoci të dielën për të biseduar për një marrëveshje tregtare midis Bashkimit Evropian dhe SHBA-së, ndërsa afron afati i 1 gushtit  i vendosur nga presidenti amerikan, i cili ka kërcënuar të vendosë tarifa prej 30% për importet evropiane.

Siç njoftoi vetë presidentja e Komisionit Evropian në platformën “X”, “pas një bisede të mirë telefonike me presidentin e SHBA-së, ramë dakord të takohemi të dielën në Skoci për të diskutuar marrëdhëniet tregtare transatlantike dhe se si mund t’i mbajmë ato të forta”.

Trump, i cili do të udhëtojë për në Skoci për disa ditë, vlerësoi se shanset për një marrëveshje tregtare me BE-në janë “50-50 dhe ndoshta edhe më pak” .

“Po punojmë me shumë zell me Evropën, Bashkimin Evropian”, u tha Trump gazetarëve ndërsa po largohej nga Shtëpia e Bardhë.

“Do të thoja se kemi një shans 50-50, ndoshta më pak se kaq, për të bërë një marrëveshje me BE-në.”

“Ata me të vërtetë duan të bëjnë një marrëveshje”, shtoi presidenti i SHBA-së.

Presidenti republikan më 12 korrik kërcënoi BE-në se do të vendoste tarifa prej 30% për të gjitha importet e Bashkimit Evropain nga 1 gushti.

Që atëherë, kanë vazhduar negociatat, me shumë luhatje, për të shmangur mundësinë e vendosjes së këtyre masave që do t’i çonin këta dy gjigantë ekonomikë globalë në një mosmarrëveshje tregtare me pasoja serioze.