Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka reaguar pas publikimit të dokumenteve të fundit të dosjes së Jeffrey Epstein, ku pretendoi se ato e kishin liruar nga akuzat për lidhjet e tij me financierin e dënuar për krime seksuale.

“Unë nuk i kam parë vetë, por më kanë thënë disa njerëz shumë të rëndësishëm se jo vetëm që më shfajësojnë, por janë e kundërta e asaj që shpresonte e majta radikale.”-  u shpreh Trump duke fluturuar për në Florida.

Presidenti amerikan ka pasur më parë një njohje shoqërore me Epstein, por pas vdekjes së tij, Trump deklaroi se ata kishin pasur një përplasje dhe se nuk kishin komunikuar prej 15 vitesh.

Komentet e kreut të Shtëpisë së Bardhë vijnë në një kohë kur kryeministri britanik Sir Keir Starmer i ka bërë thirrje ish-princit Andrew Mountbatten-Windsor të dëshmojë para Kongresit Amerikan lidhur me marrëdhëniet e tij me Epstein.

“Së pari, gjithmonë i jam qasur kësaj çështjeje duke pasur parasysh viktimat e Epstein. Viktimat duhet të jenë përparësia e parë. Sa i përket kërkimit të faljes, kjo është një çështje që i takon Andrew. Por, për sa i përket dhënies së dëshmisë, gjithmonë kam thënë se kushdo që ka informacion duhet të jetë i përgatitur ta ndajë atë në çfarëdo forme që i kërkohet. Nuk mund të jesh i përqendruar te viktimat nëse nuk je i përgatitur ta bësh këtë”, deklaroi Starmer.