Presidenti amerikan, Donald Trump po kërkon 152 milionë dollarë për të restauruar Alcatrazin, një ish-burg federal pranë brigjeve të San Franciskos. Sipas propozimit të buxhetit, administrata do të përdorë 152 milionë dollarët për të mbuluar vitin e parë të kostove të projektit të restaurimit.

Nëse plani do të përparonte, nuk është e qartë se cili do të ishte afati kohor për rihapjen e pronës.

Kjo shifër është pjesë e një kërkese më të madhe prej 1.7 miliardë dollarësh për të financuar objektet e paraburgimit që po shkatërrohen të Byrosë së Burgjeve. Burgu i sigurisë maksimale strehoi disa nga kriminelët më famëkeq të vendit nga viti 1934 deri në mbylljen e tij në vitin 1963.

I quajtur “Shkëmbi”, vendndodhja e Alkatrazit në një ishull e bëri të vështirë arratisjen, por edhe operacionet e kushtueshme. Shpenzimet e mirëmbajtjes nxitën mbylljen e objektit, sipas Byrosë së Burgjeve. Që atëherë, ai është bërë një vend që vizitohet çdo vit nga mbi një milion turistë.

Majin e kaluar, Trump i bëri thirrje për herë të parë Departamentit të Drejtësisë, FBI-së dhe Sigurisë Kombëtare për të rindërtuar burgun.

“Kur ishim një komb më serioz, në të kaluarën, nuk hezitonim t’i burgosnim kriminelët më të rrezikshëm dhe t’i mbanim larg kujtdo që mund të dëmtonin. Kështu duhet të jetë. Rihapja e Alkatrazit do të shërbejë si simbol i ligjit, rendit dhe drejtësisë,” shkroi ai.

Plani ka qenë i diskutueshëm. Disa zyrtarë të zgjedhur në Kaliforni kanë vënë në pikëpyetje vlerën e një sipërmarrjeje të tillë. Aktualisht, Alcatraz nuk ka sisteme uji, energjie elektrike, gazi dhe kanalizimesh, sipas San Francisco Standard.

Zyra e senatorit shtetëror të Kalifornisë, Scott Wiener, vlerësoi këtë javë se rindërtimi i pronës do të kushtojë mbi 2 miliardë dollarë.

Vitin e kaluar, në një intervistë me CBS Sacramento, guvernatori i shtetit Gavin Newsom e dënoi vizionin e Trump si një “ide fiskale jashtëzakonisht të keqe”.