Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka rritur ndjeshëm stekën e kërkesave për arritjen e një pakti të mundshëm që do t’i jepte fund konfliktit me Iranin. Gjatë një mbledhjeje të kabinetit në Shtëpinë e Bardhë, Trump bëri të qartë se Uashingtoni nuk do të pranojë gjysmë-marrëveshje dhe përjashtoi kategorikisht mundësinë që dy nga partnerët më të afërt të Teheranit, Rusia apo Kina, të bëhen garantues të materialeve bërthamore iraniane.
Jo uranium në duart e Moskës apo Pekinit
Analistët e sigurisë bërthamore kishin sugjeruar se Rusia ose Kina mund të shërbenin si një palë e tretë e pranueshme për Teheranin për të marrë në dorëzim rezervat e uraniumit të pasuruar në nivel të lartë – i cili mund të përdoret për ndërtimin e një arme atomike – si pjesë e një udhërrëfyesi për paqen. Ky model ishte aplikuar edhe në vitin 2015 nën administratën Obama, kur Rusia mori në dorëzim rezervat e atëhershme të Iranit. Megjithatë, Trump e hodhi poshtë këtë skenar.
“Kjo nuk do të më bënte të ndihesha rehat,”, deklaroi prerazi Presidenti Trump, duke i mbyllur derën përfshirjes së Moskës dhe Pekinit në këtë proces kritik.
Presioni për zgjerimin e “Marrëveshjeve të Abrahamit”
Përtej kushteve strikte bërthamore, Trump po tenton të lidhë marrëveshjen me Iranin me një rikonfigurim më të gjerë gjeopolitik të Lindjes së Mesme, duke kërkuar që vende të tjera të rajonit t’i bashkohen procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Izraelin.
Trump u shpreh skeptik duke thënë: “Nuk jam i sigurt nëse duhet ta bëjmë marrëveshjen” për Iranin nëse vende të tjera nuk i bashkohen Marrëveshjeve të Abrahamit, ndërsa shtoi se po “kërkon me forcë” që akte të tilla t’i nënshkruajnë edhe Arabia Saudite dhe Katari.
Gjithsesi, i pyetur nga gazetarët nëse ky kusht ishte një vijë e kuqe e panegociueshme që do të bllokonte paktin me Teheranin, ai u tregua më i matur në diplomaci duke u përgjigjur: “Nuk dua ta thonë këtë.”
Një marrëveshje që “duhet të jetë perfekte”
Për administratën amerikane, një marrëveshje thjesht “e mirë” apo “e shkëlqyer” nuk është e mjaftueshme për të garantuar interesat e sigurisë kombëtare të SHBA-së dhe aleatëve të saj. Trump kujtoi se tërhiqej nga bisedimet nëse ato nuk përmbushnin standardet më të larta të mundshme të kontrollit.
“Duhet të jetë perfekte. Nuk e bëra këtë për të arritur një marrëveshje të dobët“, përfundoi Trump, duke dërguar një sinjal të qartë si për negociatorët iranianë, ashtu edhe për ndërmjetësit ndërkombëtarë se Uashingtoni zyrtar do të tolerojë shumë pak lëshime në draftin përfundimtar.
