Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se “ndoshta do të dalë diçka” nga vizita e drejtorit të CIA-s, John Ratcliffe, në Rusi.

Trumpi e bëri këtë deklaratë në një intervistë për emisionin “Glenn Beck Program” në televizionin “Blaze”, pas raportimeve të mediave amerikane se Ratcliffe dje kishte mbërritur në Moskë për bisedime me zyrtarë rusë lidhur me luftërat në Ukrainë dhe Iran. CBS më herët raportoi se drejtori i CIA-s kishte qëndruar në kryeqytetin rus në një vizitë të fshehtë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, konfirmoi sot për TASS se presidenti rus Vladimir Putin ishte informuar në detaje për rezultatet e kontakteve të shërbimeve speciale ruse me Ratcliffe. Peskov sqaroi se drejtori i CIA-s nuk kishte pasur takim të drejtpërdrejtë me Putinin.