Trump paralajmëron me veprime ushtarake ndaj Iranit nëse nuk respektohet marrëveshja për armëpushim, përcjell TV21. Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se anijet dhe avionët ushtarakë amerikanë do të qëndrojnë pranë Iranit dhe kërcënoi me mundësinë e një aksioni ushtarak nëse Teherani nuk respekton marrëveshjen e nënshkruar.
Në platformën e tij Truth Social, Trump shkroi se:
“Të gjitha anijet, avionët dhe forcat ushtarake amerikane, së bashku me municionin dhe armatimin shtesë, do të qëndrojnë në pozicionet brenda dhe rreth Iranit derisa marrëveshja të respektohet plotësisht.”
Ai shtoi se nëse marrëveshja nuk respektohet:
“Do të nisë një shkrepje, më e madhe dhe më e fortë se gjithçka e parë deri tani.”

Iran më herët kishte njoftuar se do të ishte “e paarsyeshme” të vazhdojnë negociatat për një marrëveshje të qëndrueshme paqeje në një situatë ku Izraeli po kryen sulmet më intensive mbi Libanin, ku janë vrarë qindra njerëz.
Trump gjithashtu pretendoi se Irani ishte pajtuar të ndalojë pasurimin e uraniumit, ndërsa presidenti i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, deklaroi se sipas kushteve të armëpushimit, Irani mund të vazhdojë këtë proces.
Presidenti amerikan shkroi gjithashtu se:
“Kjo është rregulluar që më parë dhe, përveç retorikës së rreme që pretendon të kundërtën, nuk ka armë bërthamore, dhe Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e hapur dhe e sigurt.”
