Presidenti i SHBA-ve Donald Tramp përsëri e befasoi botën. Publikoi moratorium 90 ditor për tarifat doganore për shumicën e vendeve përveç për Kinën, për të cilën i rriti tarifat në 125%. Tramp dje publikoi se të gjitha vendet që nuk iu përgjigjën tarifave doganore do të marrin prolongim – deri në korrik dhe do të ballafaqohen me tarifa gjithëpërfshirëse prej 10%.

“Mendoj se kjo është shumë pozitive për botën dhe për ne. Ne nuk duam t’i dëmtojmë vendet që nuk duhet të jenë të dëmtuar. Të gjithë ata duan të negociojnë”, deklaroi Donald Trump – president i SHBA.

Më shumë se 75 vende kanë kontaktuar qeverinë federale të SHBA për të negociuar një zgjidhje. Ndërkohë, Pekini u përgjigj me tarifa prej 84% për import nga SHBA.

Bursat u rritën menjëherë pas lajmit për një moratorium 90-ditor. Pas disa ditësh rënie, indeksi Dau Xhons u rrit me gati 8%, dhe indeksi Nasdak regjistroi një rritje prej mbi 12%, më e madhja që nga viti 2001. Indekset e bursave europiane dhe botërore u rritën.

Kryetarja e Komisionit Europian Ursula von der Lajen përshëndeti vendimin e Tramp, duke thënë se ishte një hap i rëndësishëm drejt stabilizimit të ekonomisë globale. Kundërtarifat e BE-së për importet e produkteve amerikane gjithashtu janë prolonguar për 90 ditë.

Kryeministri Mickoski njoftoi se dje ka biseduar me sekretarin amerikan për ekonomi Hauard Lutnik.

“E theksova rëndësinë e përkrahjes amerikane për një Ballkan të qëndrueshëm dhe progresiv, sidomos për çështjet që janë me rëndësi jetësore për bashkëpunimin ekonomik. U dakorduam që të vazhdojmë ta zhvillojmë partneritetin strategjik dhe ekonomik mes dy vendeve”, theksoi kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.

Ministrja e financave Koçoska paraprakisht paralajmëroi se jemi të gatshëm t’i ulim tarifat doganore me SHBA në 0% dhe se do të angazhohen në drejtim të nënshkruhet marrëveshje për tregti të lirë.

Sipas profesoreshës universitare Nikica Mojsoska Bllazhevski, ky është gjest miqësie. Në emisionin Biznes21 ajo rekomandoi se duhet të jemi të gatshëm për dialog strategjik me SHBA për t’i përforcuar pozitat tona dhe të dalim me kërkesa.

“Eksporti ynë në Amerikë është relativisht i ulët, 1,5% nga eksporti ynë i përgjithshëm. Importi nga Amerika është 1,3% nga importi i përgjithshëm. Kështu që Amerika nuk është partneri ynë i rëndësishëm tregtar dhe mendoj se ulja e tarifave në 0% do të ishte gjest i vullnetit të mirë dhe gjest miqësie”, potencoi Nikica Mojsoska Bllazhevski – profesoreshë universitare.

E derisa bota po merr veten nga tronditja disaditore, shumica e demokratëve në Kongresin Amerikan, si dhe aktorë të tregut, analistë dhe gazetarë, dyshojnë se Tramp ka marrë pjesë në mënyrë joligjore në manipulimin më të madh të tregut në botë. A po përfitojnë kundër ligjit bashkëpunëtorët e Tramp nga luhatjet e mëdha të tregut të aksioneve përmes tregtimit të brendshëm, pyesin ata, duke bërë thirrje për hetim të Kongresit.