Kryeministri i përkohshëm i Tajlandës, Anutin Charnvirakul, njoftoi të premten se do të zhvillojë një bisedë telefonike me presidentin amerikan Donald Trump rreth orës 21:20 (sipas orës lokale), ndërsa përplasjet në kufirin mes Tajlandës dhe Kamboxhias kanë hyrë në ditën e pestë.

Trump ka shprehur vendosmërinë për të ndërhyrë sërish, me synimin për të ndalur luftimet dhe për të shpëtuar armëpushimin që ai ndërmjetësoi më herët këtë vit. Në një aktivitet në Kongres të enjten mbrëma, ai deklaroi se është i bindur se do ta rikthejë marrëveshjen “në shina”, duke theksuar rolin e tij si ndërmjetës i paqes globale.

“Ne kemi zgjidhur tetë luftëra. Mendoni për këtë. Tetë luftëra janë zgjidhur, megjithatë Tajlanda dhe Kamboxhia, mendoj se do të duhet të bëjmë disa telefonata për Tajlandën dhe Kamboxhian, por do ta rikthejmë edhe atë në rrugën e duhur,” tha Trump, sipas Reuters.

Forcat ushtarake të dy vendeve po përballen në disa pika përgjatë kufirit 817 km, në përplasjet më të ashpra që nga korriku, kur një betejë pesë-ditore u ndal pas ndërhyrjes së Trump.

Bilanci i përkohshëm është i rëndë, me të paktën 20 persona të vrarë, mbi 200 të plagosur, dhe qindra mijëra të zhvendosur për shkak të shkëmbimeve të artilerisë së rëndë dhe zjarrit me raketa.