Trump sulmon Papën dhe portretizoi veten e tij si Jezusi : Nëse unë nuk do të isha në Shtëpinë e Bardhë, ai nuk do të ishte në Vatikan

Presidenti amerikan, Donald Trump ka sulmuar Papa Leone XIV në një postim në Truth.

“Ai është i dobët në frontin e kriminalitetit dhe shumë i keq në politikën e jashtme. Flet për frikën ndaj administratës Trump, por nuk përmend frikën që Kisha Katolike dhe të gjitha organizatat e tjera të krishtera përjetuan gjatë Covidit, kur priftërinj, ministra të kultit dhe kushdo tjetër arrestoheshin për kremtimin e shërbesave fetare”, ka shkruar presidenti amerikan.

“Unë preferoj shumë më tepër vëllain e tij Louis sepse është plotësisht MAGA. Ai i ka kuptuar të gjitha. Nuk dua një Papë që e konsideron të pranueshme që Irani të ketë armë bërthamore”.

“Leoni duhet të më jetë mirënjohës sepse, siç e dinë të gjithë, emërimi i tij ishte një surprizë tronditëse. Ai nuk figuronte në asnjë listë të kandidatëve të mundshëm dhe u zgjodh nga Kisha vetëm sepse është amerikan; në fakt, mendohej se kjo ishte mënyra më e mirë për të menaxhuar marrëdhënien me presidentin Donald J. Trump”.

Më tej vijon:

“Nëse unë nuk do të isha në Shtëpinë e Bardhë, Leone nuk do të ishte në Vatikan.”

Pas negociatave të dështuara, në orën 10 të mëngjesit të së hënës, sipas orës së Bregut Lindor, Shtetet e Bashkuara do të nisin një bllokadë të Ngushticës së Hormuzit.

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar gjithashtu: “Nuk më intereson” nëse Irani rikthehet në negociata apo jo, duke shtuar se bisedimet për paqe në Pakistan dështuan sepse Teherani nuk pranoi të “heqë dorë nga ambiciet e tij bërthamore”.

Irani ka paralajmëruar se çdo anije ushtarake që i afrohet rrugës detare do të “trajtohet ashpër”, ndërsa kryetari i parlamentit të vendit ka thënë se Teherani nuk do të “dorëzohet nën kërcënime”.

Ministri i jashtëm i Iranit ka deklaruar se të dyja palët ishin “shumë pranë” një marrëveshjeje në Pakistan, por më pas Teherani u përball me “maksimalizëm” dhe “ndryshim të vazhdueshëm të kushteve”.

Trump pas sulmit, postoi një foto ku portretizoi veten si Jezusi shpëtimtar.

Rreth presidentit amerikan shihet flamuri amerikan, një infermiere, ushtarë, avionë luftarakë amerikanë, shqiponja amerikane, Statuja e Lirisë dhe Kapitoli. Ai shihet teksa i ka vendosur dorën në kokë një të sëmuri teksa në duart e tij ka shkëlqim duke dashur të tregojë se ka fuqi mrekullibërese dhe shëruese.

Trump nuk bëri komente shtesë në mbishkrimin e postimit të tij. Ky postim erdhi pasi Trump akuzoi Papën se i shërbente të majtës radikale. Sipas tij Papa është i dobët në frontin e kriminalitetit dhe shumë i keq në politikën e jashtme.