Trump: Tankerët po lundrojnë drejt SHBA-së, për t’u furnizuar me naftën dhe gazin më të mirë dhe më ‘të ëmbël’ në botë

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se një numër i madh tankerësh të zbrazët të naftës janë duke u drejtuar drejt Shteteve të Bashkuara për t’u furnizuar me derivate amerikane.

Në një postim në rrjetin social “Truth Social”, Trump theksoi se bëhet fjalë për disa nga tankerët më të mëdhenj në botë që po vijnë për “naftën dhe gazin më cilësor”. “Ne kemi më shumë naftë se dy ekonomitë më të mëdha të naftës së bashku, dhe me cilësi më të lartë”, shkroi presidenti amerikan.

“Një numër i madh tankerësh të naftës plotësisht të zbrazët, disa prej më të mëdhenjve në botë, po drejtohen tani drejt Shteteve të Bashkuara për t’u ngarkuar me naftën dhe gazin më të mirë dhe më ‘të ëmbël’ në botë. Ne kemi më shumë naftë se dy ekonomitë më të mëdha të naftës së bashku – dhe me cilësi më të lartë. Ju presim. Kthim i shpejtë!”, ka shkruar Trump.

Kjo deklaratë vjen në kohën e negociatave kyçe në Islamabad për ndërprerjen e konfliktit mes SHBA-së dhe Iranit. Më herët gjatë javës, Trump tha se Irani nuk duhet të vendosë tarifa për tankerët që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit, bllokimi i së cilës ka shkaktuar ndërprerje serioze në rrjedhat globale të energjisë.