Gazetare: Ajnur Bafqari

Presidenti amerikan Donald Trump, me deklarata të ndryshme, me ton kërcënues por edhe optimiste sa i përket një marrëveshjeje të mundshme me Teheranin.  Në një intervistë për Financial Times, Trump tha se e do naftën e Iranit, ndërsa shtoi se SHBA-të po e shqyrtojnë marrjen e ishullit Harg në gjirin Persik, nyjës prej nga eksportohet pjesa më e madhe e naftës së Iranit.

Ndërkohë para gazetarëve Trump përshëndeti përparimin në bisedimet me Iranin, duke thënë se po i zhvillohen drejtpërdrejt dhe tërthorazi me udhëheqës, siç i quajti ai, “të arsyeshëm”.

“Ne po bëjmë punë jashtëzakonisht të mirë në ato negociata. Por kurrë nuk e di me Iranin, sepse negociojmë me ta dhe pastaj gjithmonë duhet t’i hedhim në erë… qoftë me bombardues B 2, ose duke e grisur për shembull marrëveshjen bërthamore me Iranin e arritur nga Barack Hussein Obama, ndoshta marrëveshja më e keqe që kemi bërë ndonjëherë si vend, një nga marrëveshjet më idiote që kemi bërë ndonjëherë… Por mendoj se do të bëjmë një marrëveshje me ta. Jam mjaft i sigurt. Por është e mundur që të mos e bëjmë”, deklaroi Donald  Trump, president i SHBA-së.

Por udhëheqësit e Teheranit mohojnë se po zhvillohen negociata. Teherani ka thënë se ka marrë, shqyrtuar dhe refuzuar një plan paqeje me 15 pika të SHBA-së që u dorëzua përmes ndërmjetësve pakistanezë.

Nga ana tjetër udhëheqësit e disa vendeve aleate në NATO po distancohen nga çdo përfshirje ushtarake në konflikt. Së fundmi Spanja ka marrë vendim që të mbyll hapësirën ajrore për aeroplanët amerikanë të përfshirë në luftën e Iranit, ndërsa kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar deklaroi se konflikti në Iran “nuk është luftë e Mbretërisë dhe se ai refuzon të “përfshihet” në luftime.

“Që nga momenti i parë, iu bë shumë e qartë ushtrisë dhe forcave amerikane, dhe për këtë arsye, bazat nuk janë të autorizuara, dhe sigurisht, përdorimi i hapësirës ajrore spanjolle për veprime që lidhen me luftën në Iran gjithashtu nuk është i autorizuar”, tha Margarita Robles, Ministre e Mbrojtjes e Spanjës.

“Ne do të mbrojmë jetët e britanikëve dhe interesat britanike në rajon, do të qëndrojmë pranë aleatëve tanë në rajonin e Gjirit. Por ne nuk do të përfshihemi. Këto janë vlerat e mia, këto janë parimet e mia dhe kjo është ajo që ne zbatuam në vendimet tona, pavarësisht presionit dhe nga kushdo që vjen”, theksoi Keir Starmer, Kryeministër i Britanisë./Alsat.mk.

The post Trump tha se dëshiron të marrë naftën në Iran dhe ndoshta të pushtojë ishullin Harg appeared first on Alsat.