Ushtria e Shteteve të Bashkuara tha se ka kryer sulme “në vetëmbrojtje” në jug të Iranit, duke goditur lokacione për lëshimin e raketave dhe anije iraniane që dyshohet se do të vendosnin mina pranë rrugëve të rëndësishme detare. Komanda Qendrore e SHBA-së tha se sulmet kishin për qëllim mbrojtjen e trupave amerikane nga ato që i cilësoi si “kërcënime nga forcat iraniane”. Sulmet u përqendruan në zona pranë Ngushticës së Hormuzit.
Pas sulmeve, sekretari amerikan i Shtetit, Marko Rubio, deklaroi se kjo rrugë jetike detare “duhet të jetë e hapur në një mënyrë ose tjetër”.
“Nuk ka asnjë shtet në botë që e mbështet një sistem tarifimi, përveç regjimit në Iran. Prandaj kjo nuk është e pranueshme dhe nuk mund të ndodhë. Ngushticat duhet të jenë të hapura, pa pengesa dhe pa tarifa. Dhe padyshim kjo duhet të ndodhë menjëherë, sapo të arrihet çfarëdo marrëveshjeje,” tha Marko Rubio, Sekretar amerikan i shtetit.
Rubio tha se marrëveshja me Teheranin mbetet e mundshme dhe mund të arrihet së shpejti. Por shtoi se:
.”.ose do të jetë një marrëveshje e mirë, ose nuk do të ketë fare marrëveshje” – Marko Rubio, Sekretar amerikan i shtetit.
Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp, deklaroi se negociatorët po diskutojnë “detajet përfundimtare” të një marrëveshjeje të mundshme, ndërsa zyrtarët iranianë thanë se të dyja palët kanë arritur një kornizë paraprake për disa çështje, por se marrëveshja ende nuk është afër. Tramp përsëriti se rezervat e uraniumit të pasuruar të Iranit duhet ose t’u dorëzohen Shteteve të Bashkuara, ose “të shkatërrohen në vend”. Irani, megjithatë, kundërshtoi raportimet që sugjeronin se kishte rënë dakord të pezullonte pasurimin e uraniumit. /Alsat.mk
The post Trump trondit Teheranin: Uraniumi i Iranit duhet të dorëzohet ose të shkatërrohet! appeared first on Alsat.
