Gazetar: Bashkim Sulejmani

Vazhdojnë hetimet për gjetjen e provave në rajonin e Nerashtit, ku i gjet i vdekur në një makinë 42 vjeçari me inicialet A.B nga Tetova.

“Fillimisht kalimtarë të rastit kanë hetuar veturën në këto fusha që shihni prapa meje, ndërsa duke u ofruar, kanë parë se brenda ka edhe një person që dyshohet të jetë i vrarë, pas çka është lajmëruar edhe policia. Ndërkohë, edhe sot vazhdojnë hetimet nga organet e rendit  ndërsa trupi i pa jetë i gjetur në veturën e tij në atarin e fshatit Nerasht, është dorëzuar në mjekësinë ligjore për hetime të mëtejme”, raporton gazetari Bashkim Sulejmani.

Me urdhër të prokurorisë janë marrë pamje të kamerave sigurie.

“Është kryer kontroll në vendin e ngjarjes, janë dhënë disa udhëzime dhe urdhra me qëllim zbulimin e kryerësve, për shkak të dyshimeve se vdekja është rezultat i një vepre penale. Është dhënë urdhër për autopsi, urdhër për tërheqjen e automjetit dhe gjurmëve të tjera nga vendngjarja që do t’i nënshtrohen ekspertizës, urdhër për sigurimin e incizimeve nga kamerat e vëzhgimit, si dhe prova të tjera. Po veprohet sipas urdhrave”, thonë nga Prokuroria Themelore.

42 vjeçari, dyshohet të jetë vrarë ditë më parë, pasi bashkëshortja e tij kishte denoncuar se ai kishte dalë nga shtëpia dhe nuk i ishte përgjigjur thirrjeve telefonike.

42 vjeçari është gjetur i vrarë në makinën e tij në fushat e fshatit Nerasht të komunës së Tearcës. Përsoni A.B sipas të dhënave të policisë, është vrarë nga jashtë, përkatësisht duke shkrepur një plumb në xhamin e përparmë në anën e vozitësit.

Sipas të dhënave të Sektorit të Punëve të Brendshme të Tetovës, rasti dyshohet të ketë lidhje me vrasjen e para disa viteve që ndodhi në Reçicë të Vogël të Tetovës.

The post Trup i pajetë në makinë në Nerasht – Vijojnë hetimet për vrasjen e 42-vjeçarit appeared first on Alsat.