Është mbyllur sot në Tiranë turneu ndërkombëtar i mundjes “Ranking Series Muhamet Malo”, një event që zgjati 5 ditë dhe që u zhvillua në sallën “Feti Borova” (morën pjesë rreth 900 mundës). Turneu, që është kthyer në traditë, organizohet nga Federata Shqiptare e Mundjes.

Ai i dedikohet një prej personaliteteve të këtij sporti, Muhamet Malo. I ndarë nga jeta në vitin 2017, ai ka qenë një ikonë e sportit të mundjes, ish-sportist dhe president i kësaj Federate. Prej vitesh organizohet një turne në nderim të tij, që tashmë njihet edhe nga ndërkombëtarët.

Në këtë event, Shqipëria mori vetëm një medalje të bronztë me mundësin Zelimkhan Abakarov, në peshën 61kg, stili i lirë. Ndërsa mundësit e tjerë që përfaqësuan ngjyrat kuqezi zhgënjyen, duke u eliminuar që në sfidat e para.

Në duelet e fundit, ato të stilit grek-romak, në peshën 55kg, garoi Andi Muca. Që në sfidën e parë ai u mund 8-0 nga indiani Lalit Lalit, duke u eliminuar. Në peshën 60kg, mundësi Bajram Sina, u mund 8-0 nga rusi Suner Konunov që në përballjen e parë dhe u eliminua.

Edhe mundësi Xhord Gjoni u eliminua që në sfidën e parë të peshës 72kg. Ai u mund 9-0 nga kazaku Nikolay Khapko. Në peshën 82kg, mundësi Marjan Kola u mund 5-1 nga amerikani Kamal Ameer Bey, duke u eliminuar që pas sfidës së parë. I fundit që garoi ishte Griseldi Kodra në peshsën 130kg. Ai u mund 9-0 nga indiani Harddep Hardeep.

The post Turneu “Ranking Series Muhamet Malo” ul siparin/ Organizim i shkëlqyer, Shqipëria e mbyll vetëm me një medalje bronzi appeared first on Telesport.