Turqia teston me sukses automjetin pa shofer, kontrolli bëhet nga inteligjenca artificiale

Një hap i rëndësishëm drejt transportit autonom është ndërmarrë në Turqi, përcjell TV21. Themeluesi i kompanisë MARTI, Oguz Alper Oktem, njoftoi se kanë përfunduar me sukses testimet e automjetit RoboMartı, i cili përdor inteligjencën artificiale dhe synon të mundësojë udhëtime të përbashkëta pa shofer.

Sipas kompanisë, automjeti është i pajisur me kamera me rezolucion të lartë, sensorë LiDAR dhe radarë, të cilët i mundësojnë të analizojë mjedisin përreth në 360 gradë. Sistemi mund të identifikojë semaforët, këmbësorët, automjetet e tjera dhe gjendjen e rrugës, për të marrë vendime gjatë lëvizjes.

Oktem tha se përfundimi me sukses i testimeve dëshmon përparimin teknologjik të projektit, ndërsa synimi është që automjetet autonome të integrohen me modelin e udhëtimeve të përbashkëta.

Megjithatë, përfundimi i testimeve nuk nënkupton domosdoshmërisht se automjeti është gati për përdorim të rregullt në trafik.