Boksieri britanik Tyson Fury fitoi me vendim unanim të gjyqtarëve duelin ndaj rusit Arslanbek Makhmudov, duke u rikthyer te suksesi në ring pas më shumë se dy vitesh. Ish-kampioni i botës në peshën e rëndë u rikthye te suksesi pas dy humbjeve që pat pësuar ndaj Usyk, që sollën edhe tërheqjen e përkohshme të tij nga ringu.

Në sfidën e zhvilluar në stadiumin e Tottenahm në Londër, Fury thuajse ishte dominant gjatë gjithë kohës në ring, ndërkohë që të tri gjyqtarët i dhanë atij fitoren (120-108, 120-108 dhe 119-109). Për Fury, ky është suksesi i 35-të në karrierën e tij, ndërkohë që ka edhe dy humbjet ndaj Usyk e 1 barazim.

Një duel që u duk se nisi më vrullshëm për Arslanbek Makhmudov (21 fitore e 3 humbje në karrierë), por me kalimin e kohës epërsia e britanikut ishte e ndjeshme. Rusi arriti të qëndrojë në këmbë deri në fund të raundit të 12-të edhe pse mori disa goditje të forta nga Fury, që nuk e mposhti dot me KO.

Jashtë ringut ishte edhe një tjetër ish-kampion bote në peshën e rëndë, britaniku Anthony Joshua, të cilin Fury e ftoi në ring, por u mjaftuan me një takim duarsh. Gjithsesi, Fury konfirmoi se synon pikërisht patriotin e tij për duelin e radhës: “Joshua, të ftoj në duel, të jesh rivali im i radhës”. Negociatat kanë nisur…

The post Tyson Fury rikthehet te suksesi, mposht Makhmudov me vendim unanim dhe fton Joshua në duel appeared first on Telesport.