Gazetari Valon Syla ka reaguar lidhur me arrestimin e tij gjatë javës i dyshuar për veprat “Dhunë në familje” dhe “Lëndim i lehtë trupor”.

Syla në Facebook ka shkruar se nuk bëhet fjalë për dhunë fizike ashtu siç është paragjykuar në publik.

“Sapo dola nga 2 ditë arrest, dhe u këndella me ju shkru juve që më keni shkruar dhe keni raportuar. Pikë së pari, e dashura ime është shumë zonjë dhe e veçantë për të qenë unë i dhunshëm e që s’jam, në kuptimin që mund të kuptohet në publik si boksa e shkelma apo rrahje… ky rast nuk ka të bëj me një gjë të tillë, por më shumë ishte një fjalosje apo përlamje… me ngrehje krahu (tjerat i gjeni në dosje të gjyqit) e për çka i kërkoj falje asaj, familjes së saj dhe times, e sidomos nënës së saj dhe times”, ka shkruar ai.

Ai ka shpjeguar se pasi ishte arrestuar, ishte liruar me procedurë të rregullt, porse nga Policia pas pesë orësh i ishte kërkuar të paraqitej sërish në stacion.