Një hetim i BBC Eye zbulon se si qindra burra nga vende të varfra janë joshur me premtime për punë të sigurt, paga të larta dhe shtetësi ruse, por përfundojnë të dërguar në vijën e parë të luftës në Ukrainë. Rasti i Omarit, një sirian 26-vjeçar, hedh dritë mbi një rrjet rekrutimi të drejtuar përmes Telegramit, ku mashtrimi, kërcënimet dhe shfrytëzimi i të huajve duket se janë bërë pjesë e një strategjie më të gjerë të Rusisë për të mbushur radhët e ushtrisë së saj.
Flakët përpijnë skajet e pasaportës së Omarit. “Po digjet mirë”, dëgjohet të thotë në rusisht një grua që nuk duket në video.
Omar, një punëtor ndërtimi sirian 26-vjeçar, kishte rreth nëntë muaj që ishte dërguar në vijën e parë të frontit në luftën e Rusisë në Ukrainë kur videoja mbërriti në telefonin e tij.
Ai e njohu menjëherë zërin e gruas. Ishte Polina Alexandrovna Azarnykh, e cila, sipas tij, e kishte ndihmuar të regjistrohej për të luftuar për Rusinë, duke i premtuar punë të paguar mirë dhe shtetësi ruse. Por tani ajo ishte e zemëruar.
Në një seri mesazhesh zanore nga Ukraina, Omari, që flet me pseudonim për arsye sigurie, tregon se si përfundoi i bllokuar dhe i tmerruar në zonën e luftës.
Ai thotë se Azarnykh i kishte premtuar se, nëse i paguante 3.000 dollarë, do të siguronte që ai të kishte një rol joluftarak. Por, sipas tij, ai u dërgua në betejë pas vetëm 10 ditësh trajnim. Për këtë arsye ai refuzoi të paguante dhe, si reagim, ajo i dogji pasaportën.
Omar thotë se u përpoq të refuzonte pjesëmarrjen në një mision, por komandantët e tij e kërcënuan se do ta vrisnin ose do ta burgosnin.
“Na mashtruan… kjo grua është një mashtruese dhe gënjeshtare”, thotë Omar.
Një hetim i BBC Eye ka zbuluar mënyrën se si Azarnykh, një ish-mësuese 40-vjeçare, përdor një kanal në Telegram për të joshur të rinj, shpesh nga vende të varfra, që të bashkohen me ushtrinë ruse.
Videot e saj të buzëqeshura dhe postimet optimiste ofrojnë “kontrata njëvjeçare” për “shërbim ushtarak”.
BBC World Service ka identifikuar pothuajse 500 raste ku ajo ka siguruar dokumente, të njohura si ftesa, që u lejojnë marrësve të hyjnë në Rusi për t’u bashkuar me ushtrinë. Këto dokumente u janë dhënë kryesisht burrave nga Siria, Egjipti dhe Jemeni, të cilët duket se i kanë dërguar asaj të dhënat e pasaportës për t’u regjistruar.
Megjithatë, rekrutë dhe familjarët e tyre i kanë thënë BBC-së se ajo i ka mashtruar, duke u krijuar bindjen se do të shmangnin luftimet, duke mos i informuar qartë se nuk mund të largoheshin pas një viti dhe duke kërcënuar ata që e kundërshtonin. E kontaktuar nga BBC, ajo i ka mohuar këto akuza.
Dymbëdhjetë familje i kanë treguar BBC-së për të rinj që, sipas tyre, janë rekrutuar nga ajo dhe tani janë të vdekur ose të zhdukur.
Brenda vendit, Rusia ka zgjeruar shërbimin e detyrueshëm ushtarak, ka rekrutuar të burgosur dhe ka ofruar shpërblime gjithnjë e më të larta për t’u regjistruar, në përpjekje për të vazhduar operacionet në Ukrainë, pavarësisht humbjeve të mëdha.
Sipas NATO-s, më shumë se një milion ushtarë rusë janë vrarë ose plagosur që nga pushtimi i plotë në vitin 2022, me rreth 25.000 të vrarë vetëm në muajin dhjetor 2025.
Hulumtimet e BBC News Russian, të bazuara në njoftime vdekjesh dhe të dhëna të tjera publike, sugjerojnë se humbjet e trupave ruse në Ukrainë u rritën më shpejt se kurrë gjatë vitit të kaluar.
Është e vështirë të përcaktohet saktësisht sa të huaj janë bashkuar me ushtrinë ruse. Analiza e BBC Russian, e cila ka shqyrtuar edhe numrin e të huajve të vrarë dhe të plagosur, sugjeron se të paktën 20.000 persona mund të jenë regjistruar, përfshirë nga vende si Kuba, Nepali dhe Koreja e Veriut.
Edhe Ukraina ka pësuar humbje të mëdha ushtarake dhe gjithashtu ka pranuar luftëtarë të huaj në radhët e saj.

“Trupa kudo përreth”
Kontakti i parë i Omarit me Azarnykhun ndodhi në mars të vitit 2024, kur ai mbeti i bllokuar në aeroportin e Moskës, pothuajse pa para, së bashku me 14 sirianë të tjerë.
Në Siri kishte shumë pak vende pune dhe pagesat ishin të ulëta. Omar thotë se një rekrutues atje u kishte ofruar burrave atë që ata e kuptuan si punë civile për ruajtjen e objekteve të naftës në Rusi. Ata fluturuan drejt Moskës, por aty mësuan se ishin mashtruar.
Duke kërkuar zgjidhje në internet, njëri nga grupi gjeti kanalin e Azarnykhut në Telegram dhe i shkroi asaj, thotë Omar.
Ajo i takoi brenda pak orësh në aeroport dhe i dërgoi me tren në një qendër rekrutimi në Bryansk, në Rusinë perëndimore.
Atje, sipas Omarit, ajo u ofroi kontrata njëvjeçare me ushtrinë ruse, me një pagë mujore rreth 2.500 dollarë dhe një pagesë regjistrimi prej 5.000 dollarësh – shuma që për ta ishin të paimagjinueshme në Siri.
Omar thotë se kontratat ishin në rusisht, gjuhë që asnjëri prej tyre nuk e kuptonte. Azarnykh u mori pasaportat, duke u premtuar se do t’ua siguronte shtetësinë ruse. Ajo gjithashtu u premtoi se do të shmangnin rolet luftarake nëse i paguanin asaj nga 3.000 dollarë secili nga pagesa e regjistrimit.
Por, sipas tij, brenda rreth një muaji ai u gjend në vijën e parë të frontit, me vetëm 10 ditë trajnim dhe pa asnjë përvojë ushtarake.
“Ne do të vdesim 100% këtu”, thotë ai në një nga mesazhet zanore të dërguara ekipit hetues të BBC-së.
“Shumë të plagosur, shumë shpërthime, shumë bombardime. Nëse nuk vdes nga shpërthimi, vdes nga copat që bien mbi ty”, thotë ai në maj të vitit 2024.
“Trupa kudo… kam shkelur mbi trupa të vdekur, Zoti më faltë”, raportoi ai në muajin pasues. “Nëse dikush vdes, e kam parë me sytë e mi, e fusin në një thes plehrash dhe e hedhin pranë një peme”.
Pas gati një viti, Omar zbuloi diçka që thotë se Azarnykh nuk ia kishte shpjeguar: një dekret rus i vitit 2022 i jep ushtrisë të drejtën t’i zgjasë automatikisht kontratat e ushtarëve deri në përfundim të luftës.
“Nëse ma vazhdojnë kontratën, jam i humbur – o Zot”, thotë ai.
Kontrata e tij u zgjat.
“I rekrutuar nga universiteti”
Kanali i Azarnykh në Telegram ka rreth 21.000 ndjekës. Postimet e saj shpesh u kërkojnë atyre që duan të bashkohen me ushtrinë ruse t’i dërgojnë një kopje të pasaportës. Më pas, ajo publikon dokumente ftese, ndonjëherë të shoqëruara me lista emrash.
BBC ka identifikuar mbi 490 ftesa të tilla që ajo ka dërguar gjatë vitit të fundit për burra nga vende si Jemeni, Siria, Egjipti, Maroku, Iraku, Bregu i Fildishtë dhe Nigeria.
Në postimet e saj përmendet rekrutimi për një “batalion ndërkombëtar elitar” dhe bëhet e qartë se edhe personat që ndodhen ilegalisht në Rusi – përfshirë ata me viza të skaduara, mund të aplikojnë.
BBC ka folur me tetë luftëtarë të huaj, përfshirë Omarin, që janë rekrutuar prej saj, si dhe me familjarët e 12 burrave që janë të zhdukur ose të vdekur.
Shumë prej tyre mendojnë se Azarnykh i ka mashtruar ose shfrytëzuar rekrutët. Ata thonë se burrat e dinin se po bashkoheshin me ushtrinë, por nuk prisnin të shërbenin në vijën e parë të frontit. Disa, si Omari, ndjenë se kishin trajnim të pamjaftueshëm ose besonin se do të mund të largoheshin pas një viti.
Në Egjipt, Yousef, edhe ky emër i ndryshuar – i tregoi BBC-së se vëllai i tij i madh, Mohammed, kishte nisur studimet universitare në Jekaterinburg të Rusisë në vitin 2022.
Por ai e pati të vështirë të paguante tarifat universitare dhe, sipas Yousefit, i tregoi familjes se një grua ruse me emrin Polina kishte filluar t’i ofronte ndihmë online, përfshirë punë me ushtrinë ruse, gjë që ai besonte se do t’i lejonte të vazhdonte studimet.
“Ajo i premtoi strehim dhe shtetësi… shpenzime mujore”, thotë Yousef. “Papritur e dërguan në Ukrainë. Ai u gjend në luftë”.
Telefonata e fundit e Mohammedit ishte më 24 janar 2024. Rreth një vit më vonë, Yousef thotë se familja mori një mesazh në Telegram nga një numër rus, që përmbante imazhe të trupit të Mohammedit. Më vonë, ata mësuan se ai ishte vrarë pothuajse një vit më parë.
“Disa e humbën mendjen”
Azarnykh është bërë “një nga rekrutueset më të rëndësishme” për ushtrinë ruse, thotë Habib, një tjetër sirian që ka shërbyer në forcat ushtarake ruse. Ai pranoi të filmohej, por foli me pseudonim nga frika e pasojave.
Habib thotë se ai dhe Azarnykh “kanë punuar së bashku për rreth tre vjet për ftesa vizash drejt Rusisë”. Ai nuk dha detaje të tjera dhe BBC nuk ka mundur ta konfirmojë rolin e tij në këtë proces. Megjithatë, një foto e publikuar në rrjetet sociale në vitin 2024 e tregon atë përkrah saj.
Azarnykh, e cila vjen nga rajoni Voronezh në jugperëndim të Rusisë, më parë drejtonte një grup në Facebook që ndihmonte studentë arabë të shkonin në Moskë për studime, përpara se të hapte kanalin e saj në Telegram në vitin 2024.
Sipas Habibit, shumica e rekrutëve të huaj mbërrinin duke menduar se do të kishin role sigurie, si ruajtja e objekteve ose qëndrimi në pika kontrolli. “Arabët që vijnë këtu po vdesin menjëherë. Disa e humbën mendjen – është e vështirë të shohësh trupa të pajetë”, thotë ai.
Habib tregon se ka takuar Omarin dhe grupin e sirianëve në një qendër stërvitjeje ushtarake. “Ajo u kishte premtuar shtetësi, paga të mira dhe siguri”, thotë ai. “Por sapo firmos një kontratë këtu, nuk ka asnjë mënyrë për t’u larguar.”
“Asnjëri prej tyre nuk dinte të përdorte armë. Edhe kur qëlloheshin, zgjidhnin të mos kthenin zjarrin… por nëse nuk qëllon, do të vritesh”, shpjegon ai. “Polina i merrte burrat duke e ditur se ata do të vdisnin”.
Ai thotë se ajo “merrte 300 dollarë nga ushtria për çdo person që rekrutonte”. BBC nuk ka mundur ta verifikojë këtë pretendim, megjithëse edhe rekrutë të tjerë kanë thënë se besonin se ajo paguhej për çdo rekrutim.
“Asgjë nuk është falas”
Postimet e Azarnykhut nga mesi i vitit 2024 fillojnë të theksojnë se rekrutët do të “marrin pjesë në luftime” dhe përmendin luftëtarë të huaj që kanë vdekur në betejë.
“Ju të gjithë e kuptonit shumë mirë se po shkonit në luftë”, thotë ajo në një video në tetor 2024. “Menduat se mund të merrnit pasaportë ruse, të mos bënit asgjë dhe të jetonit në një hotel me pesë yje?… Asgjë nuk ndodh falas”.
Në një rast tjetër, në vitin 2024, BBC ka dëgjuar një mesazh zanor që Azarnykh i kishte dërguar një nëne, djali i së cilës shërbente në ushtri. Azarnykh thotë se gruaja kishte publikuar diçka të tmerrshme për ushtrinë ruse dhe, duke përdorur fjalë fyese, e kërcënon jetën e djalit dhe e paralajmëron: “Do të të gjej ty dhe gjithë fëmijët e tu”.
BBC bëri disa përpjekje për të kontaktuar Azarnykhun. Fillimisht ajo tha se do të pranonte një intervistë nëse gazetarët do të udhëtonin në Rusi, por BBC e refuzoi për arsye sigurie. Më vonë, kur u pyet në një telefonatë për pretendimet se rekrutëve u ishin premtuar role joluftarake, ajo e mbylli telefonin.
Në mesazhe zanore të dërguara më pas, ajo tha se puna e BBC-së ishte “jo profesionale” dhe paralajmëroi për procedura ligjore për shpifje. Ajo gjithashtu u shpreh me gjuhë fyese, duke thënë: “Arabët tanë të nderuar mund t’i fusin akuzat e tyre atje ku e dinë vetë”.
BBC kontaktoi Ministrinë e Jashtme dhe Ministrinë e Mbrojtjes së Rusisë për koment, por nuk mori asnjë përgjigje.
Më herët, në mars të vitit 2022, presidenti rus, Vladimir Putin kishte mbështetur rekrutimin e burrave nga Lindja e Mesme, duke këmbëngulur se ata motivoheshin nga ideologjia dhe jo nga paratë: “Ka njerëz që duan të vijnë vullnetarisht, jo për para, por për të ofruar ndihmë”.
The post “U mashtruam”: Gruaja që i joshi burrat e huaj të luftojnë për Rusinë appeared first on Alsat.
