Pas informacioneve të publikuara se është arrestuar, pronari i spitalit privat “Sante Plus”, Bilal Kara, ka reaguar duke i mohuar këto pretendime dhe duke deklaruar se informacionet për arrestimin e tij janë të pavërteta.
Kara, në reagimin e tij publik, theksoi se është qytetar i lirë, se ndodhet në vendin e tij të punës dhe se është plotësisht i gatshëm të bashkëpunojë me institucionet kompetente.
“Asnjëherë nuk jam arrestuar. Këto janë dezinformata. Siç mund ta shihni, unë jam qytetar i lirë dhe ndodhem në vendin tim të punës, në zyrën time”, deklaroi Kara.
Ai theksoi se i gjithë dokumentacioni është në dispozicion të organeve kompetente dhe se është i gatshëm të bashkëpunojë pa asnjë pengesë me institucionet.
“Jam këtu për të bashkëpunuar me institucionet. I gjithë dokumentacioni është në dispozicion dhe jam i gatshëm të bashkëpunoj me organet hetimore dhe të gjitha institucionet kompetente në Maqedoninë e Veriut”, u shpreh pronari i “Sante Plus”.
Me këtë deklaratë, Kara i hedh poshtë publikisht informacionet për arrestimin e tij të pretenduar, duke shprehur gatishmëri për bashkëpunim me organet hetimore.
