Shqipëria U-15 e nisi në mënyrën më të mirë të mundshme aventurën në turneun “UEFA Development”, duke fituar me rezultatin 3-1 ndaj Armenisë. Në ndeshjen e zhvilluar pasditen e sotme në “Shtëpinë e Futbollit”, kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Genti Mahmuti ishin më dominantë. Golat në këtë takim u realizuan nga Matias Mehmeti, Aleksandros Shofiti dhe Kledi Dida.

Trajneri Genti Mahmuti e nisi ndeshjen me këtë formacion: Besardo Ndoj (GK), Elez Elqeni, Denian Avdylaj (C), Kevin Kerxhaliu, Kevin Muharremi, Kledi Dida, Gean Ramadani, Matias Mehmeti, Santjago Perkola, Aleksandros Shofiti dhe Samuel Prendi.

Kuqezinjtë kaluan shpejt në avantazh që në minutën e 8-të të takimit, falë golit të bukur të Matias Mehmetit, i cili përfitoi në mënyrë perfekte nga një top i ekzekutuar shumë mirë nga këndi nga Santjago Perkola.

Në minutën e 32-të, Shqipëria dyfishoi rezultatin pas një aksioni të kombinuar mjaft mirë mes Ramadanit dhe Shofitit. Ramadani shërben një pasim të saktë për Shofitin, i cili, i gjendur brenda zonës, e dërgon topin në rrjetë mes katër kundërshtarëve.

Kuqezinjtë nuk u ndalën me kaq dhe gjetën edhe golin e tretë në minutën e 37-të. Një gabim i mbrojtjes armene u shfrytëzua në mënyrë ideale nga Kledi Dida, që rrëmbeu topin pas një pasimi të gabuar, depërtoi në zonë dhe realizoi me qetësi golin e tretë për ekipin tonë.

Pjesa e parë u mbyll me një rezultat fantastik 3-0 në favor të Shqipërisë. Armenët realizuan golin e vetëm në minutën e 88-të, duke përfituar nga një rrëmujë e krijuar në zonën tonë. Ndeshja përfundoi me rezultatin 3-1 për Shqipërinë e Genti Mahmutit.

Në ndeshjen tjetër të zhvilluar paraditen e sotme në “Shtëpinë e Futbollit“, Maqedonia e Veriut mposhti Kosovën me rezultatin final 1-0.

Takimet e dyta të këtij turneu do të luhen të premten e 31 tetorit në “Shtëpinë e Futbollit”. Shqipëria do të përballet me Maqedoninë e Veriut në ora 14:00 ndërsa Kosova do të luajë kundër Armenisë në 10:30.

The post UEFA Development U-15: Shqipëria fiton pa problem ndaj Armenisë, Kosova mposhtet nga Maqedonia appeared first on Telesport.