UEFA ka reaguar pas vendimit të FIFA-s për të tërhequr planin e saj për shitjen e një pjese të kompeticioneve, përfshirë edhe Kupën e Botës, tek investitorë privatë. Në deklaratën e publikuar, qeveria e futbollit europian e cilëson këtë një fitore për të gjithë futbollin, ndërsa thekson se procesi për rikthimin e besimit te FIFA sapo ka nisur.

Menjëherë pas këtij vendimi ka reaguar edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka, që njëkohësisht mban postin e zv.presidentit të UEFA-s, përmes një postimi në rrjetet e tij sociale, ku mbështet plotësisht këtë qëndrim të qeverisë së futbollit europian.

“E mirëpres vendimin e fundit të FIFA-s për t’u tërhequr nga plani per shitjen e një pjese të të drejtave të FIFAs tek investitorë privat që doli në dritë gjatë ditëve të fundit.

Megjithatë, zhvillimet që shoqëruan këtë proces kanë ngritur në mënyrë të pashmangshme pikëpyetje serioze mbi integritetin, transparencën, llogaridhënien dhe qeverisjen e futbollit, çështje që do të duhet patjetër të adresohen.
Vendimet që ndikojnë në qeverisjen e sportit tonë duhet të udhëhiqen gjithmonë nga standardet më të larta të transparencës, qeverisjes së mirë dhe përgjegjshmërisë institucionale. Këto parime janë themelore për mbrojtjen e integritetit të futbollit.
Mbështes plotësisht qëndrimin e UEFA-s. Së bashku me UEFA-n dhe kolegët e mi, presidentët e federatave kombëtare, do të punoj ngushtë për të siguruar që mësimet e nxjerra nga kjo situatë të përkthehen në hapa konkrete dhe që të vendosen mekanizmat e nevojshëm për të parandaluar përsëritjen e rasteve të ngjashme në të ardhmen.
Përgjegjësia jonë e përbashkët është të mbrojmë futbollin, të ruajmë vlerat e tij dhe të sigurojmë që ai të vazhdojë të qeveriset me integritet, transparencë dhe gjithmonë në interesin më të mirë të lojës dhe të gjithë atyre që janë pjesë e saj.
Edhe një herë u dëshmua se uniteti është vlera jonë më e madhe. UEFA tregoi sërish se, kur të gjithë aktorët e futbollit flasin me një zë të vetëm dhe qëndrojnë të bashkuar, gjithmonë mund të gjendet rruga e duhur”, shkruan Duka.

The post UEFA mirëpret tërheqjen e FIFA-s nga plani për shitjen e një pjese të kompeticioneve të saj, reagon presidenti i FSHF-së: Mbështes plotësisht këtë qëndrim appeared first on Telesport.