Partizani U-19 ka siguruar kualifikimin në raundin e dytë të UEFA Youth League 2026/2027, pas fitores së pastër 4-0 ndaj Valletta U-19, në ndeshjen e kthimit të raundit të parë të “Domestic Champions Path”, të zhvilluar në “Shtëpinë e Futbollit” në Tiranë.

Skuadra kryeqytetase zhvilloi një paraqitje bindëse, duke konfirmuar avantazhin e krijuar edhe në ndeshjen e parë në Maltë, ku triumfoi me rezultatin 2-0. Me fitoren 4-0 në sfidën e kthimit, Partizani U-19 e mbyll përballjen me rezultatin e përgjithshëm 6-0 dhe vijon rrugëtimin në kompeticionin europian.

Të kuqtë kaluan në avantazh në minutën e 43-të me Lleshin, ndërsa një autogol i Formosës në minutën e 45+1-të dyfishoi shifrat për Partizanin. Në pjesën e dytë, Rrenga shënoi golin e tretë në minutën e 53-të, ndërsa Hyseni vulosi fitoren 4-0 në minutën e 68-të.

Pas këtij suksesi, Partizani U-19 do të përballet në raundin e dytë të UEFA Youth League me skuadrën çeke Hradec Králové, duke vijuar përfaqësimin e futbollit shqiptar në këtë kompeticion europian të moshave.

Fitorja me rezultat të përgjithshëm 6-0 ndaj Valletta U-19 përbën një tjetër arritje për kampionët e Shqipërisë, të cilët e nisin sezonin europian me dy fitore dhe pa pësuar asnjë gol.

The post UEFA Youth League/ Partizani U-19 fiton 4-0 ndaj Valletta-s dhe mëson kundërshtarin e raundi të dytë appeared first on Telesport.