Sfida mes Tom Aspinall dhe Ciryl Gane, që duelonin për titullin kampion bote në peshën e rëndë në artet marciale mikse, u mbyll pa fitues. Sfida u ndërpre në fundin e raundit të parë pas një incidenti që ndodhi në kafaz.
Ishte Gane ai që gjatë një kontakti i futi padashje gishtin në sy Aspinall. Ky i fundit, që mbronte për herë të parë titullin kampion bote, kërkoi ndihmën e mjekëve. Pas më shumë se 5 minutash ndërprerje, sfida u mbyll pa fitues.
“Nuk mund të shoh asgjë, nuk mund të dueloj kështu”, tha Tom Aspinall nga kafazi pas ndërprerjes së duelit. Fansat e shumtë të pranishëm në Abi Dhabi për të parë këtë duel mbetën të zhgënjyer nga mbyllja shumë e shpejtë e sfidës pa një fitues.
Edhe pse u bë gjithcka që dueli të rinisë, ishte e pamundur, pasi Aspinall (15 fitore e 3 humbje), nuk mund të duelonte më. I zhgënjyer edhe Gane (13 fitore e 2 humbje në kafaz), që u detyrua të pranonte vendimin e gjyqtarëve.
Kështu, sfida më e shumëpritur e eventit UFC-321 u mbyll pa fitues dhe më shumë gjasa dueli mes dy luftëtarëve të peshës së rëndë do të zhvillohet në një moment të dytë. Për momentin, tituli mbetet i Aspinall, ndërsa Gane do të presë shansin tjetër.
The post UFC-321/ Incidenti i papritur në kafaz, nuk ka fitues në duelin për titullin e peshës së rëndë appeared first on Telesport.

