Gazetar: Avni Tahiri
A ishte qen apo ujk. Ky ishte misteri i mbrëmshëm e që vazhdon edhe sot të komentohet për kafshën e egër apo shtëpiake që u izolua nga institucionet dhe mbahet në kopshtin Zoologjik të Shkupit. Nga ana tjetër pronari sot ka kërkuar që kafsha t’i kthehet prapa pasi pretendon se ka qenë i çipuar. Nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari thonë se veterinerët do të kryejnë mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuese në Kopshtin Zoologjik dhe do të përcaktojnë se për çfarë lloj kafshe bëhet fjalë.
“Agjencia për Ushqim dhe Veterinari i demanton pretendimet e publikuara në disa portale se AUV ka dhënë deklaratë lidhur me kafshën e kapur mbrëmë në lagjen Kozle të Shkupit, për të cilën dyshohej se ishte ujk, përkatësisht se bëhet fjalë për një kafshë shtëpiake qen, i cili është i çipuar dhe pronari kërkon t’i kthehet. Nga ana e veterinerëve zyrtarë të AUV-së, gjatë ditës do të realizohet një mbikëqyrje e jashtëzakonshme inspektuese në Kopshtin Zoologjik, me qëllim përcaktimin e llojit të kafshës së kapur dhe gjendjes së saj shëndetësore.” thuhet nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari.
Ujku apo qeni, u shfaq mbrëmë në një video në rrjetet sociale e që ngjalli reagime të shumta. Pas reagimeve të qytetarëve, reagoi edhe kryetari i Shkupit, Orce Gjorgjievski i cili e konfirmoi se kafsha u izolua dhe përfundoi në Kopshtin Zoologjik.

Komentet në statusin e Gjorgjievskit për kafshën misterioze vazhduan edhe sot. Disa nga komentuesit kanë kërkuar që kafsha t’i kthehet pronarit pasi është qen i llojit Çekosllovak ndërsa tjerë kanë pyetur se çfarë po planifikohet të ndërmerret me qentë endacak në Shkup.
Qeni apo ujku, u shfaq mbrëmë në lagjen Kozle të Shkupit, i cili ishte mbajtur si kafshë shtëpiake dhe ka qenë i lidhur me zinxhir dhe qafore. /Alsat.mk
The post Ujk apo qen? Misteri që tronditi Shkupin – kafsha ‘e egër’ perfundoi në ZOO appeared first on Alsat.
